Arabia Saudite njeh Kosovën, tani i hapet rruga Konferencës
Mbretëria e Arabisë Saudite ka njohur dje Republikën e Kosovës si një shtet të pavarur dhe sovran. Njoftimin ka bërë Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite. “Në përputhje me lidhjet religjioze dhe kulturore që ne kemi me popullin e Kosovës dhe në shenjë respekti për vullnetin e popullit të Kosovës për të fituar pavarësinë, Mbretëria e Arabisë Saudite njofton njohjen e Republikës së Kosovës dhe shpreson, se ky zhvillim do të kontribuojë pozitivisht në sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës dhe vendeve të saj fqinje”, thuhet në njoftim. Ky bëhet vendi i 58–të që njeh zyrtarisht Kosovën si një vend të pavarur dhe sovran. Arabia Saudite është një vend arab dhe vendi më i madh në gadishullin Arabik. Pas Emirateve të Bashkuara Arabe, Arabia Saudite është vendi i dytë i botës arabe që njeh pavarësinë e Kosovës. Duke qenë shteti më i madh i këtij rajoni Arabia Saudite vlerësohet si një vend me ndikim dhe autoritetet në Kosovë besojnë se kjo njohje do të ndikojë edhe tek vendet tjera të botës arabe. Mbretëria quhet edhe “Toka e Dy Xhamive të Shenjta” duke iu referuar xhamive Makkah dhe Medinah, dy vendet më të shenjta në Islam. Arabia saudite njohu fillimisht pasaportat e Kosovës më 1 prill duke dhënë shenjat e para praktike të njohjes së pavarësisë. Kosovarët që në atë datë kanë pasur mundësinë të merrnin viza në këtë zyrë-ambasadë. Njohjet e pavarësisë së Kosovës kanë nisur pak orë pas shpalljes së saj më 17 shkurt 2008. të parat që e kanë njohur kanë qenë vendet më të fuqishme të botës, si Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania e Franca. Njohjet kanë vazhduar edhe gjatë periudhës që Serbia shpresoi t’i ndalonte ato, duke hapur një çështje gjyqësore kundër shpalljes së pavarësisë me miratim nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Pavarësia e Kosovës po shqyrtohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Ministri serb për Punët e Jashtme, Vuk Jeremiç e ka quajtur gjyqin si procesi i shekullit. Më 17 prill Serbia dhe Kosova dërguar argumentet e tyre në lidhje me ligjshmërinë e shpalljes dhe njohjes së pavarësisë, ndërsa janë deklaruar me raporte edhe vende të tjera të botës përfshirë edhe Shqipërinë. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë filloi dje shpërndarjen e deklaratave, tek vendet që kanë marrë pjesë në procesin gjyqësor në rastin e Kosovës. Secili vend duhet t’i kthejë përgjigjet në gjykatë deri më 17 korrik, e pastaj Gjykata do të vendosë nëse do të ketë seanca dëgjimore. Edhe Kosova do të shqyrtojë deklarata që mund të jenë kundër pavarësisë së saj. Ministri i Jashtëm Skënder Hyseni ka thënë se ky proces është i rëndësishëm dhe i vështirë. Vendimi i Gjykatës nuk është imponues. Serbia dhe Kosova kanë shprehur paralelisht optimizmin për fitimin e kësaj çështjeje, megjithatë edhe në rast se zhgënjehen, vendet janë angazhuar për respektimin e vendimit, por jo zbatimin e detyrueshëm të tij, nëse ai është kundër interesave kombëtare të secilës palë.