E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Eagle Mobile” 20 milionë dollarë investime

 

Huawei Technologies dhe Eagle Mobile kanë nënshkruar marrëveshjen e planit të investimit për vitin 2009, me një vlerë prej 20 milionë dollarësh. Investimi do të kryhet për rrjetin e kompanisë më të re të telefonisë celulare në Shqipëri, Eagle Mobile. Drejtori i Përgjithshëm i Huawei Technologies Albania, Xiao Yongshun dhe Drejtori i Përgjithshëm i “Eagle Mobile”, Ali Taskin, nënshkruan marrëveshjen në prani të Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha në Shenzhen të Kinës. Kryeministri Berisha zhvilloi një vizitë në zyrat qendrore të Huawei Technologies në kuadër të një vizite zyrtare në Republikën Popullore të Kinës, për të marrë pjesë në Forumin e Boao-s për konferencën vjetore aziatike mes datave 17-19 prill. “Shqipëria zë një vend të veçantë në strategjinë e zgjerimit të Huawei në Evropë. Kompania jonë po i zhvillon në mënyrë të shpejtë investimet në rrjetet e komunikimit në Shqipëri në bashkëpunim me Eagle Mobile”, tha zv/presidenti Ekzekutiv e Huawei International, Li Ke, në takimin me Kryeministrin Berisha. Berisha falënderoi Huawei Albania për performancën e shkëlqyer në punën e kryer. Ai i siguroi drejtuesit më të lartë të kompanisë se qeveria e tij do të marrë të gjitha masat për të lehtësuar dhe mundësuar rritjen e aktivitetit të tyre ekonomik në Shqipëri. Kryeministri tha se Huawei mund të investojë në Shqipëri përmes mundësisë “Shqipëria 1 Euro”, të ofruar nga ekzekutivi shqiptar për investitorët e huaj. “Ne jemi gati të bashkëpunojmë me Huawei International, me qëllim shtimin e gamës së shërbimeve elektronike për qytetarët shqiptarë”, tha Kryeministri Berisha.  Bashkëpunimi mes Huawei dhe Eagle Mobile dha prova që tashmë është i suksesshëm. Në një periudhë prej 12 muajsh, Huawei mundësoi vendosjen dhe futjen në aktivitet të 300 antenave dhe qendrave të sinjalit të Eagle Mobile, duke mbuluar rreth 98 për qind të popullsisë së Shqipërisë. Eagle Mobile me një strategji eficiente marketingu shënoi 258.000 abonentë më 31 janar 2008, ndërsa sot numëron më se 410.000 abonentë në të gjithë vendin. Plani i investimit në rrjet dhe teknologjinë e fundit të kësaj kompanie për 2009-ën arrin një vlerë më se 20 milionë dollarë amerikanë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›