E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poliklinika nr. 2,pacientët vizita mes llaçit e tullave

 

ZIRINA LLAMBRO

Vizita në korridore mes llaçit e tullave. Vetëm një pjesë e pacientëve kanë shansin që të futen në një dhomë të mirëfilltë mjeku. Edhe në këtë rast, një hapësirë e tejmbushur me kartela e rraqurina, ku askush nuk mbahet më shumë se 5 minuta. Shënon emrin, bëjnë sikur e vizitojnë dhe del menjëherë jashtë me recetën në dorë. Kjo është situata me të cilën përballen të gjithë ata qytetarë që këto kohë drejtohen në poliklinikën nr. 2 në Tiranë. E ndodhur tek “21 dhjetori”, fluksi i të sëmurëve është tejet i lartë. Por që prej tre javësh nuk mund të marrin kurrsesi trajtimin e duhur, pasi ambulanca po i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë. Kati i parë është tërësisht i hapur ndërsa në katin e dytë funksionon vetëm gjysma e ambienteve. Aty mjekët kryejnë vizitat. Qytetarët tregojnë se kanë bërë injeksione edhe në korridore. “Unë jam invalid, erdha sot për të bërë një vizitë, kishte radhë dhe as ku të ulesha nuk kisha. Më thanë hajde nesër”, flet një i moshuar me paterica, teksa del nga dera e godinës. Të tjerë ankohen se të marrin asistencë mjekësore në të tilla kushte nuk është aspak normale. “Këta ose të transferojnë diku tjetër e ta mbyllin fare deri sa të rikonstruktohet ose ti bëjnë punët me radhë”, thotë një mesogrua. Të njëjtin shqetësim ngrenë edhe qytetarë të tjerë. Sipas afateve të caktuara, punimet në poliklinikën numër 2 i bie të mbarojnë brenda disa javësh. Deri atëherë qytetarëve që u duhet me doemos konsulta me mjekun e familjes, duhet patjetër të vizitohen në të tilla kushte. Pensionistët janë ata që e kanë domosdoshmëri, në mënyrë që të përfitojnë recetat e ilaçeve me rimbursim. Por ndërsa flitet për orare të mirëpërcaktuara, në kryerjen e vizitave mjekësore në ambulancën te “21 dhjetori” kjo gjë është e pamundur. Një vizitë nuk mund të bëhet kurrsesi 30 minuta, ashtu siç ka udhëzuar Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Mes llacit e tullave, pluhurit e punëtorëve nëpërkëmbë, pacienti mund të konsultohet me mjekun vetëm për disa minuta. Për rrjedhojë puna i bie të bëhet sa për të thënë. Nga sa pranon nën zë personeli i mesëm, situata nuk është aspak normale, por kjo zgjedhje është bërë vetëm që t’u vihet në ndihmë qytetarëve. “Dihet që nuk po punohet me kapacitete të plota, por nuk mund të mbylleshin dyert e poliklinikës për vetë pozicionin e saj. Numri i  personave që kanë nevojë për receta e rekomandime nga mjeku i familjes është i lartë”, thotë njëra prej infermiereve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›