Rama, mezi po pret botërorin e futbollit, që të zbusë efektin e dështimit

Pas kapitullimit zyrtar dhe turit të mëshirës, që s’po ka sukses nëpër fshatrat e sallat e mbyllura, Edi Rama është sërish në gjysëmilegalitet, së bashku me Erion Velinë, në pritje të nisjes së botërorit të futbollit, i cili do ta largonte disi vëmendjen e publikut dhe të strukturave socialiste, nga dështimi katastrofik i politikës së tij antivizë e me greva të turpshme urie
Kryesocialisti në detyrë, Edi Rama zgjodhi ditët e parë të muajit qershor, për të rifilluar një tur takimesh në rrethe, ose më saktë tur falënderimesh, për kauzën e opozitës, pavarësisht se s’ka asnjë rezultat të prekshëm. Dalja në rrethe pikërisht në ditët e para të këtij muaji, lidhet me një fakt shumë të rëndësishëm dhe me një tendencë harrakatje të Ramës, për t’u fshehur menjëherë, përgjatë një muaji të tërë. Për ta zgjatur këtë agoni të turit të mëshirës, që s’po ka asnjë sukses, Edi Rama dhe Erion Veliaj janë arratisur dje jashtë vendit, në një vizitë relaksi në një nga vendet e BE-së, duke pritur me ankth që ditët të shkojnë e të nisë kompeticioni më i rëndësishëm sportiv i vitit, Botërori i 2010-s. Burime të afërta me kryesocialistin Edi Rama, bëjnë të ditur se askush nga opozita nuk ka më dyshime, lidhur me një legjitimitet të mundshëm të kauzës së ngritur 11 muaj më parë dhe po shihet mundësia e abrogimit të saj, por përmes një strategjie që të mos kuptohet nga socialistët e thjeshtë. Ashtu siç edhe ishte parashikuar më herët nga gazetarë, analistë dhe botues, se ngërçi politik do zgjidhjet me afrimin e nisjes së kompeticionit të botërorit, tashmë kjo është gjithmonë e më praktike. Edi Rama takoi, përshëndeti dhe falënderoi socialistët e Beratit, Korçës, Durrësit dhe Elbasanit, për mbështetjen që i dhanë gjatë 11 muajve me radhë, me idenë se do nxjerrë diçka me krye, por që rezultoi gjithçka e trilluar dhe rrugëzgjidhja e vetme e tij, për të mbijetuar politikisht, është qetësia 1 mujore, kohë kjo, tepër e leverdishme, për të manipuluar degët lokale të PS-së dhe vetë socialistët e thjeshtë, se transparenca e zgjedhjeve nuk pranohet nga shumica dhe “ne s’kemi ç’të bëjmë, kështu që po tërhiqemi”...
Por, sa mund të merret si i mirëqenë ky konkludim i Edvinit? Gënjeshtër e mirëfilltë dhe sjellje radikale, për të dëmtuar institucionet. Kështu që, s’po regjistrohet asnjë impakt. Dyshimet e para, tashmë janë hedhur në tezgat e degëve lokale të PS-së, por pa mundur që nota e protestës të mbërrijë në selinë kryesore të saj, pasi korrierët e besuar të “politikës së re”, kanë bërë punën e tyre, duke fshehur çdo pakënaqësi dhe protestë të socialistëve. Dëshpërimi i thellë dhe ligështia shpirtërore, për gjithçka të humbur deri më tani, s’ka justifikim tjetër, veçse Rama t’i ushtrohet një regjimi relaksi dhe emocioni 1-mujor dhe më pas të japë dorëheqjen e parevokueshme nga drejtimi i Partisë, për t’u lënë hapësirë bindjeve realiste dhe larg tendencave pushtetare, të lidhura ngushtë me fizionominë dhe triumfin personal.
Kësisoj, për të kapluar një lëvizje 11 mujore, mjaftojnë vetëm 31 ditë spektakli, emocioni dhe brohoritje, për atë që do të servirë Kupa e Botës 2010 nga Afrika e Jugut, vendi, popullsia e të cilit, kryesisht ata me ngjyrë, kanë përjetuar një nga shtypjet më të rënda njerëzore të njohur si “Aparteidi”, sundimi i pakicës së bardhë ndaj shumicës me ngjyrë. Për analogji, Edvini s’mund të kthehet në një “aparteid” të shqiptarëve, përsa kohë, u rendit palë humbëse në zgjedhjet e një viti më parë, por që kërkon pushtetin me pakicën që e ndjek nga pas.
E rëndësishme dhe që meriton të theksohet, është se politika kasnece e ylberistëve të brezit të dytë të nomeklaturës komuniste, tashmë është kryer. Edi Rama, është nën ethet e startimit të Botërorit dhe kështu që, s’ka kohë të bindë socialistët e thjeshtë se pse dështuan zinxhirë të gjitha aktet e opozitës kundër qeverisë dhe pushtetit.
Edi Rama kapitulloi, dhe kjo është një fitore, jo si ato të botërorit, por një fitore për vetë opozitën, e cila duhet t’i ushtrohet urgjentisht një reformimi rrënjësor.