E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama impresionon Orebron

Valdet Rama ka filluar të depërtojë në zemrat e tifozëve të Orebros. Sulmuesi kosovar me lojërat e tij po i impresionon të gjithë në kampionatin suedez. Shoku i skuadrës, Markus Astvald thotë se 23 vjeçari ka kualitete fantastike dhe se në të ardhmen mund të luajë edhe më mirë. Nga Express më 15 prill 2011 në ora 12:30

Orebro po merr frymë lirshëm. Ky ekip po brengosej për largimin e sulmuesit Roni Porokara. Mirëpo, ekipi suedez tashmë e ka gjetur pasardhësin ideal të sulmuesit finlandez.

Bëhet fjalë për Valdet Ramën, i cili u transferua atje gjatë janarit nga klubi gjerman Hannover. Në dy ndeshjet e para të kampionatit suedez, sulmuesi kosovar shfaqi kualitetet e tij, duke ia shpaguar besimin e dhënë këtij klubi.

“Rama ka kualitete fantastike, edhe pse ende nuk e kemi parë maksimumin që mund ta japë ky futbollist”, ka thënë shoku i tij i repartit në Orebro, Markus Astvald për ueb faqen suedeze FotbollDirekt.se.

-“Ajo që e kemi parë deri sot tek ai ka qenë impresionuese. Mirëpo, ai mund të japë edhe më shumë. Duhet t’i japim edhe pak kohë dhe do të jetë shumë më i mirë. Ka kualitete fantastike”, vazhdoi ai.

Astvald e pranon se përshtatet mjaft mirë në fushë me përfaqësuesin kosovar. “Ai më mbulon dhe më ndjek mjaft mirë. Ka luajtur mjaft mirë deri tash. Kemi shënuar dy fitore dhe kjo ishte ekzakt ajo që e shpresonim”, thotë futbollisti suedez.

23 vjeçari e la gjatë afatit kalimtar të janarit Hannoverin, ku nuk pati minutazh të mjaftueshëm në këmbët e tij. Në Suedi punët po i shkojnë krejt ndryshe. Ai është ambientuar në këtë kampionat dhe dita-ditës po e shfaq atë që e di për sportin e luajtur me këmbë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›