E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama inauguron rrugën e re, s’ka vendim nga Këshilli Bashkiak

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, inauguroi dje segmentin e parë pedonal në rrugën "Ismail Qemali", që shtrihet nga bulevardi "Dëshmorët e Kombit", deri tek rruga "Sami Frashëri". 

Ky aks tashmë do të jetë një zonë me trafik të kufizuar. "Eshtë hapi i parë për uljen e ndotjes në këtë zonë të Tiranës ku ka shumë lëvizje këmbësorësh, veçanërisht pasdite, gjatë sezonit të verës ka shumë qytetarë, që kanë dëshirë të lëvizin sa më lirisht", u shpreh Rama. Por menjëherë pas inaugurimit ka reaguar Lëvizja Socialiste për Integrim. Sipas këshilltarëve të kësaj  force politike, në Këshillin Bashkiak kryetari ka injoruar totalisht këshillin. "Grupi i këshilltarëve të LSI-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, vëren me shqetësim se kryetarit të bashkisë i ka dalë totalisht situata nga dora, duke mos qenë i informuar se ky këshill nuk e ka kaluar ende vendimin për kthimin e kësaj rruge në një rrugë pedonale", u shpreh dje anëtari i LSI-së në Këshillin Bashkiak, Petrit Vargu. Ai theksoi në emër të LSI-së se, Rama përpara se të ngutet të bëjë shoun e radhës,  duhet të respektojë organet legjislative të bashkisë, të cilat janë zgjedhur nga vota e popullit dhe jo t'i injorojë ato. "Ne jemi të mendimit që zonat pedonale të Tiranës, ashtu sikurse në të gjithë Evropën e zhvilluar duhet të bëhen në bazë të një studimi të hollësishëm urbanistik, ku të merren në konsideratë si qarkullimi normal i mjeteve të transportit, ashtu dhe dëshirat e kërkesat e këmbësorëve për të pasur jo një rrugë, por një zonë pedonale, e cila lidhet dhe me historinë e kryeqytetit. Këto do të jenë në koordinim të plotë dhe mbasi të përgatiten nga specialistët, të kalojnë për miratim në Këshillin Bashkiak të Tiranës", deklaroi Vargu. Ai shtoi se, këshilltarët e LSI-së shpresojnë se kjo është pakujdesia e radhës e një kryetari bashkie që drejtimin e bashkisë e ka një opsion dhe jo një detyrë. "Kjo pasi nuk duam të besojmë variantin tjetër të një autoritarizmi të kryetarit të bashkisë, i cili nuk merr parasysh fare vendimet e Këshillit Bashkiak", u shpreh Vargu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›