E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama inspekton punimet në urën e Lanës



Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama inspektoi dje punimet në kryqëzimin pranë shkollës Teknologjike që po kryhen për rikonstruksionin dhe zgjerimin e urës së Lanës. Sipas Ramës ky kryqëzim është një nga pikat kyçe që lidh Tiranën me qytetet e jugut dhe falë projektit që ka ndërmarr Bashkia e Tiranës ura do të jetë me 6 korsi lëvizjeje në të dyja drejtimet e saj dhe kjo bëhet për të lehtësuar trafikun në këtë segment. Punimet do të përfundojnë brenda katër muajve. "Kjo është një pikë strategjike e zhvillimit të mëtejshëm të qytetit, që ka të bëjë nga një anë me një lehtësim të konsiderueshëm të lëvizshmërisë së makinave dhe nga ana tjetër me çuarjen përpara të procesit transformues të gjithë vijës së lumit të Lanës, ku me ndërhyrjen që po bëhet do të kemi jo vetëm një tjetër segment që do ti kthehet qytetit si një përmasë e re e gjelbër, por dhe zgjidhjen përfundimtare të problemit të shkarkimit të ujërave", - tha Edi Rama. Ky aks do të pajiset gjithashtu me sinjale ndriçuese dhe elektronikë. Kryetari i Bashkisë tha se realizmi i këtij projekti do të ketë impakt të rëndësishëm në rritjen e shpejtësisë mesatare të lëvizjes së mjeteve private dhe atyre publike, çka pritet të reduktojë ndjeshëm bllokimin e shpeshtë të kësaj zone. Kreu i Bashkisë shtoi se rikonstruksioni i këtij segmenti do të ndihmojë në uljen e aksidenteve, një menaxhimi më të mirë të trafikut si dhe do t’i japë prioritet shërbimit publik urban. Sipas Ramës këtë vit, Bashkia e Tiranës i ka dhënë një përparësi të veçantë bindjes se siguria rrugore është një e drejtë e të gjithëve, fëmijë, të rinj, të moshuar, pavarësisht nga mjeti që përdorin: këmbë, biçikletë, motor, makinë apo mjet publik.

2 Shtator 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›