E Diel, 1 Nëntor 2026

Virusi i Nilit, shkon në 11 numri i të vdekurve në Greqi, rrezikohet rajoni



Rëndohet bilanci i viktimave të prekur nga Virusi i Nilit Perëndimor në Greqi. Sëmundja infektive që transmetohet nga mushkonjat u ka marrë jetën 11 personave ndërkohë që në të gjithë vendin janë konfirmuar 150 raste si të infektuar me virusin e Nilit. Këto të dhëna janë raportuar dje nga Qendra Greke për Sëmundjet Infektive. Sipas kësaj qendre këto shifra alarmante kanë bërë që autoritetet të shtojnë masat në zonat e prekura nga virusi. Por pavarësisht dezinfektimeve në zonat më të prekura të vendit, virusi që përhapet me anë të mushkonjave, ka rënduar bilancin e viktimave dhe rastet e reja vazhdojnë të shtohen çdo ditë. Ndërkohë që dije u konfirmuan dhe 2 viktima në Rumani për shkak të kësaj sëmundjeje infektive. Viktimat e virusit zakonisht janë persona të moshës së tretë. Virusi mban emrin e Nilit Perëndimor pasi për herë të parë është zbuluar në Ugandë, në vitin 1937, në krahinën e lumit të Nilit Perëndimor. Në disa vende kjo sëmundje quhet edhe ethet e Nilit.

Rastet

Pas gjendjes alarmante në Greqi ministria rumune e Shëndetësisë raportoi dje për 2 persona që kanë humbur jetën pikërisht nga virusi i Nilit Perëndimor. Sipas të dhënave të kësaj ministrie, me këtë virus janë infektuar edhe 7 persona të tjerë në qytetin e Bukureshtit në Rumani. Rasti i parë me Virusin e Nilit Perëndimor u zbulua (për herë të parë në rajon) këtë vit në fund të korrikut në Greqi. Në shtetin fqinjë deri tani kanë humbur jetën 11 persona, ndërsa mbi 150 të tjerë janë infektuar, 9 prej të cilëve në gjendje të rëndë. Virusi i rrallë shkakton meningjit dhe encefalit, por vdekja ndodh në pesë për qind të të sëmurëve. Për përhapjen e shpejtë të këtij virusi dhe për rrezikun që i kanoset vendit tonë para pak ditësh reagoi dhe drejtori i politikave shëndetësore në ministrinë tonë të Shëndetësisë, njëkohësisht dhe mjek infeksionist Pëllumb Pipero si dhe specialistët e epidemiologjisë në ISHP. Sipas autoriteteve të shëndetësisë shqiptare, vendi ynë nuk rrezikohet nga virusi infektues sepse ky është një virus që shkaktohet nga mushkonjat e infektuara dhe se ardhja e emigrantëve shqipëtarë në atdhe nuk përbën asnjë problem.

Masat

Të shqetësuar nga rritmi i përhapjes së virusit të Nilit ministria e Shëndetësisë ditë më parë mblodhi për diskutim rreth këtij problemi Komisionin e Specialistëve për Sëmundjet Infektive për të sensibilizuar të gjithë mjekët infeksionistë lidhur me shenjat dalluese të këtij virusi dhe për të marrë masat e nevojshme për të parandaluar mbërritjen e virusit në vendin tonë. Po ashtu nga ministria u dhanë udhëzime për të gjitha drejtoritë e shëndetit publik në rrethe, që nëse në këtë periudhë dikush do të paraqiste simptoma të dyshuara, duhet shikuar mundësia e një meningjiti me origjinë virale. Virusi i Nilit Perëndimor është një kompleks virusesh dhe deri tani nuk ka asnjë vaksinë kundër sëmundjes tek njerëzit dhe me sa duket do të duhen disa vjet para se zbulohet një vaksinë e tillë. Nëse infektohesh me këtë virus krijohen inflamacione në tru ose në shtyllën kurrizore. Virusi hyn direkt në sistemin nervor dhe ndikon duke shkaktuar simptoma dhe probleme si: humbja e kujtesës, vështirësi në të folur, paralizë, humbje të dëgjimit ose të shikimit, bllokim të frymëmarrjes, gjendje kome. Nëse sëmundja nuk trajtohet në kohë pasojat mund të jenë fatale, deri në humbjen e jetës.

2 Shtator 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›