Rama inspekton punimet për riasfaltimin e rrugës së Kavajës
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama ka inspektuar sot punimet për riasfaltimin dhe sistemimin e rrugës së Kavajës.
Në një prononcim për media kreu i bashkisë Rama se brenda shumë pak ditësh, kjo rrugë kryesore e kryeqytetit do të rishtrohet tërësisht, duke u vënë në dispozicion të mjeteve, e rindërtuar dhe njëkohësisht duke lehtësuar ndjeshëm qarkullimin.
Duke i falenderuar qytetarët për durimin e këtyre pak ditëve, kryebashkiaku Rama theksoi se me një menaxhim më të mirë të trafikut dhe me një vetëdije më të lartë qytetare në drejtimin e mjeteve, qarkullimi në këtë qytet nuk ka pse të jetë problem.
“Megjithëse sot është i zënë njëri aks dhe punon vetëm aksi tjetër, praktikisht qarkullimi është krejt i lirshëm, gjë që tregon qartë se problemi ynë kryesor me qarkullimin është në radhë të parë një problem menaxhimi dhe vetëdije; menaxhimi nga ana e strukturave shtetërore të Policisë të shtetit dhe vetëdije nga ana e qytetarëve, të cilët duhet ta përdorin makinën si qytetarë europianë, në mënyrën se si shpesh herë e përdorin” theksoi Rama.
Ai gjithashtu ka theksuar se duke qenë besimplotë se me këtë ritëm dhe me të gjithë projektet që ne kemi në vijim, do t`i japim një rritje të ndjeshme cilësisë së jetës edhe gjatë këtij viti, brenda shumë pak ditësh i gjithë ky aks strategjik për qytetin do të jetë i rishtruar dhe në dispozicion të qytetarëve.
Ndërkohë Bashkia e Tiranës vazhdon punën për sistemimin e infrastrukturës rrugore, me qëllim sigurimin e elementëve të nevojshëm dhe duke synuar standarte të reja bashkëkohore, sa i përket lëvizshmërisë në kryeqytet.