“Brenda 2009-s, shqiptarët lëvizin pa viza drejt Evropës”

Ridvan Bode në Librazhd
TIRANE - Ministri i Financave dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Ridvan Bode në kuadër të turit, “Shqipëria po ndryshon” zhvilloi dje takime me banorët e komunave Stravaj, Qukës dhe Hotolisht të rrethit të Librazhdit.
Gjatë takimit me banorë të këtyre komunave, ministri Bode ka deklaruar se “Shqipëria e 2009-ës, është krejt ndryshe nga Shqipëria e vitit 2005”.
“Ajo tashmë është anëtare e NATO-s dhe kjo përbën për të gjithë Shqiptarët një moment krenarie”, u shpreh ai.
Sipas Bodes shumë shpejt Shqipëria do të aplikojë zyrtarisht për statusin e vendit kandidat në BE, ndërsa brenda vitit 2009, shqiptarët do të kenë mundësi të udhëtojnë pa viza drejt Evropës.
“Për të hapur rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe BE, na u desh që të shembnim muret e korrupsionit dhe te grupeve kriminale të organizuara të lidhura me shtetin, që pengonin vendin tonë për të qenë pranë vendeve perëndimore”, cilësoi Bode, duke i konsideruar reformat e ndërmarra si çelësin e suksesit të qeverisjes së PD-së në këto katër vite.
Bode u ndal te politikat favorizuese qe ka ndjekur qeveria në rritjen e rrogave, pensioneve dhe uljen e taksave, duke theksuar se, “politika qeverisëse e PD synon zhvillimin e shpejtë të vendit dhe nxitjen e biznesit”.
Sipas Bodes niveli i varfërisë nga 18.4 për qind që ka qenë në vitin 2005, ka shkuar në 12. 2 për qind në vitin 2008.
“Ne do të vijojmë të ulim nivelin e varfërisë pasi do të rrisim pagat dhe pensionet”, tha ai.
Bode deklaroi se vetëm në Librazhd në këto 4 vite janë investuar 22 miliard e 300 milion lekë, kurse në qeverisjen socialiste, nga vitin 1997- 2005 u investuan në këtë zonë vetëm 5 miliard e 500 milion lekë.
Ministri i Financave u ka premtuar banorëve se “në mandatin e dytë, të gjithë fshatrat do të jenë me rrugë të asfaltuara, ujësjellës, shkolla të reja, qendra shëndetësore.
Në komunën Qukës, Ministri i Financave përuroi përfundimin e punimeve të asfaltimit të rreth 500 metra linearë, me një fond prej 2.2 milion lekësh dhënë nga buxheti i shtetit.