Rama kërkon amnisti për 75 vjeçaren e burgosur për kanabis
Tiranë- Kryetari i PS-së, Edi Rama ka kërkuar sot hartimin e një nisme ligjore për të trajtuar grupin e grave fajtore pa faj, që vuajnë dënimin në burgun e grave në Tiranë.
Sipas tij është e nevojshme një nismë që duhet t’i jap secilës prej tyre, një shans për t’u trajtuar brenda kornizës së një amnistie, sigurisht rast pas rasti.
Ai ka folur në mënyrë të vecantë për rastin e gruaj 75-vjecare, Feride Bako, duke theksuar se ajo duhet të kthehet në shtëpi, tek fëmijët e djalit të saj të vdekur. “Çdo grua që mbahet në burg, për të njëjtin shkak ndërkohë që me dhjetra e dhjetra fëmijë janë rrugëve në mëshirë të fatit, pa gjyshen apo nënën e tyre, duhet të ketë shansin e një trajtimi rast pas rasti të mundësisë së faljes në bazë të një ligji të veçantë”- tha ai.
Sipas Ramës, e gjithë Shqipëria, madje e gjithë bota shqipfolëse, ka ndjekur përmes ekranit historinë tragjike të Feride Bakos, gruas 75-vjeçare, që mbahet në burg për kultivim bimësh narkotike, pasi ka humbur djalin emigrant, ka humbur të shoqin dhe ka mbetur e vetmja mbështetje për nipërit e saj. Feride Bako është simboli i një drame shoqërore, ku ajo nuk është i vetmi personazh, sepse të tjera gra, gjyshe apo nëna familjesh që jetojnë nën minimumin jetik, gjenden pas hekurave të burgut për një kundravajtje ligjore të kryer në humnerën e varfërisë e kulmin një lufte rrëqethëse për mbijetesën e familjes e të fëmijëve të tyre.
“Kriminalizimi i një plake 75-vjeçare dhe dënimi i saj, e një grushti grash fatkeqe, të cilat në bilancet e luftës ndaj trafikut të drogës figurojnë si shifra suksesi, është në fakt një padrejtësi e madhe që vetë shtetit dhe shoqëria duhet ta vënë në vend”- tha ai.
Rama i ka bërë apel Presidentit të Republikës, që me përgjegjësinë që i jep ligji, që të fal 75-vjeçaren Feride Bako dhe t’i jap mundësinë të përqafojë nipat e saj në vigjilje të Vitit të Ri.