E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama kërkon kutitë, Berisha i hap dosjet

Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ka hedhur poshtë sërish ultimatumin e opozitës, në ditën e skadimit të tij, duke përsëritur se nuk ka krizë politike e për rrjedhojë nuk ka hapësirë për negociata direkte me opozitën. Madje, Berisha ka shkuar shumë më tej duke denoncuar publikisht dhe kërcënuar me dërgim për ndjekje penale të një numri deputetësh të opozitës, të cilët Kryeministri i ka cilësuar "pjesa e një kupole mafioze". I pajisur me një dosje voluminoze shkresash, Berisha jo vetëm që nuk ka hapur kutitë që kërkon opozita por u ka hapur atyre dosjet. Në orët e mbrëmjes në një konferencë për shtyp ai ka përmendur me emër me mbiemër disa sipërmarrës e botues të njohur, ndërmjet të cilëve edhe parlamentarë të Partisë Socialiste, të cilët sipas Kryeministrit kanë abuzuar me pronat e qytetarëve dhe pronat publike në vend. Pasi ka mbaruar revistën e përmendjes së të gjithë emrave që sipas kreut të mazhorancës janë renditur në krah të liderit të opozitës, Berisha ka ngritur zërin dhe ka deklaruar prerë se "të gjithë do të pësojnë fatin e Aldo Bares, pasi të gjitha dosjet do të dërgohen për ndjekje penale. Por Kryeministri ka bërë të ditur se ajo që ka deklaruar mbrëmë është vetëm fillimi i një serie akuzash dhe denoncimesh ndaj grupimit që drejton opozitën, të cilën Berisha e ka quajtur "kupola e mafies më e rrezikshme në Europë". Përveç biznesmenëve, Berisha ka akuzuar deputetët socialistë: Fidel Ylli, Tom Doshi, Sadri Abazi dhe Dashamir Peza si abuzues me pronat e qytetarëve dhe ato publike, madje ka shkuar më tej kur ka shtuar se deputetët e PS-së Doshi dhe Abazi kanë kërcënuar deputetët e tjerë të opozitës, duke u kërcënuar jetën. Përveç parlamentarëve të majtë, Kryeministri nuk ka kursyer edhe kreun e PDK-së, i cili sipas Berishës ka marrë leje ndërtimi në Bashkinë e Tiranës. Kreu i qeverisë ka bërë të ditur gjithashtu se nuk do të vazhdojë më serinë e ekspozeve ndaj opozitës, por do të ngarkojë agjencitë qeveritare që të bëjnë gati akuzat ndaj personave të cilët Berisha i ka sulmuar me emër e mbiemër. Nga ana tjetër, Berisha theksoi se qeveria që ai drejton do të rrëzojë të gjitha vendimet e bashkisë së kryeqytetit që ai i cilëson si "shkelje të ligjit‘. Pra kërcënimit të krerëve opozitarë të bashkive për mosbindje civile ai i është përgjigjur me sulm frontal ndaj çdo vendimi të tyre. Ndërsa sa për kërkesat e opozitës për hapjen e kutive të votimit, kreu i mazhorancës në pushtet ka përsëritur qartë se "nuk do të ketë asnjë vendim për ndarje pushteti me Edi Ramën. Unë do të vazhdoj rrugën time, zgjedhjet janë të certifikuara nga shumë faktorë ligjorë, politikë dhe ndërkombëtarë". Ndërkaq, në lidhje me kohën e nxjerrjes së këtyre akuzave publike ndaj deputetëve socialistë dhe biznesmenëve që përmendi, Berisha deklaroi se kishte zbatuar një taktikë të mirëmenduar në mënyrë që socialistët të mos bojkotonin zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. "Mandati i parë ishte për të luftuar krimin, ndërsa mandati i dytë është për të dërrmuar kupolën e mafies", deklaroi Berisha. Në lidhje me apelet e bëra nga Presidenti Topi, apo politikanë të njohur të së djathtës si Godo e Mustafaj për kompromis politik me opozitën". Kryeministri ka deklaruar se ai është opinioni i tyre, ndërsa unë kam detyrën të respektoj opozitën dhe zgjedhjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›