E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama kërkon votën në zonën e Berishës

10/04/2009  Kreu socialist vijon takimet me të rinjtë vullnetarë. Stacioni i radhës Kavaja

“Partia Socialiste do të përmbushë ëndrrat e kavajasve”

Përthithja e sa më shumë votuesve apo mbështetës të Partisë Socialiste për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit “detyroi” turin e ndërmarrë nga kreu i kësaj partie Edi Rama të stacionohet në qytetin e Kavajës. I njohur si bastion i së djathtës, pasi për 18 vjet me radhë ka mbështetur dhe ka votuar Partinë Demokratike, ky qytet dhe banorët e tij janë vizituar nga kreu i PS-së Edi Rama. Kreu socialist nuk ka përjashtuar as këtë zonë për të lëshuar thirrjet e tij për bashkim, për të tepër duke kërkuar dhe mbështetjen e qytetarëve të Kavajës për alternativën që përfaqëson Partia Socialiste. Gjatë takimit me rrjetin e vullnetarëve të “Bashkimit të ri për ndryshim” të krijuar edhe në qytetin e Kavajës, Rama radhiti një sërë arsyesh pse tani është koha që ky qytet dhe banorët e tij të mos mbështesin më një forcë politike që gjatë këtyre 18 vjetve nuk ka bërë asgjë për të shpërblyer sadopak besimin e dhënë. “Askush nuk mund ta parafytyronte 18 vjet më parë se Kavaja, qyteti ku mori jetë lëvizja demokratike dhe dëshira për një Shqipëri si gjithë Evropa, do ishte ky qytet që është sot. Kavaja e sotme si dhe mënyra e jetesës së familjeve të thjeshta të këtij qyteti e të kësaj zone flasin vetë”, - u shpreh Rama përpara vullnetarëve. Madje, duke u ndalur në këtë çashtje kreu socialist shkoi më tej, duke iu kundërvënë mënyrës se si përfaqësuesi në legjislativ i kësaj zone, Kryeministri Sali Berisha, ka vepruar me këtë qytet. “Kush ka fituar nga mbështetja e pakursyer që qytetaret dhe qytetarët e Kavajës i kanë dhënë për 18 vjet me radhë?! Kush ka fituar nga ëndrra dhe shpresat e kavajasve, që për 18 vjet me radhë këto ëndrra dhe shpresa i kanë investuar me votën e tyre te një forcë dhe te një personazh që asnjëherë nuk ka mundur, nuk ka ditur, nuk ka dashur t’jua kthejë këtë investim të madh shpirtëror, moral dhe politik”, - vuri në dukje Rama. Duke shtuar dozën e kritikave ndaj kreu të ekzekutivit, ai nënvizoi se “ka ikur koha kur qytetet dhe zonat e ndryshme të vendit mund të shiheshin dhe trajtoheshin si bastione të majta apo të djathta të një grushti politikanësh të majtë apo të djathtë për interesa oborresh majtas ose djathtas”. - Sipas tij, tashmë ka ardhur koha që çdo qytet, që çdo zonë e Shqipërisë, që çdo fshat i këtij vendi të jetë i qytetarëve dhe që politika të burojë nga bashkimi i qytetarëve dhe të jetë shprehje e asaj çka të zgjedhurit bëjnë për zgjedhësit dhe jo vetëm e asaj çka zgjedhësit bëjnë për të zgjedhurit. Për këtë arsye Rama kërkoi që asnjë zonë të mos shihet apo të konsiderohet më si bastione politike. “Ka ardhur koha që qytetarët e këtij vendi, qofshin socialistë apo demokratë, të shihen me respektin që meritojnë dhe të vlerësohen për investimin e madh që bëjnë, duke vendosur te vota e tyre shpresat e tyre. Të mos trajtohen si bastione apo si turma, tek të cilat politikanët drejtohen vetëm kur u duhen votat dhe të cilave politikanët u thonë gjëra më të bukura të dheut vetëm për t’u marrë votën”, - deklaroi Rama gjatë fjalës së tij. Madje, duke sqaruar mbi këtë qëndrim, kryetari socialist argumentoi se “politika e re e Partisë Socialiste nuk konsideron asnjë qytet si bastion të një force politike apo të një tjetre”. Por megjithatë qëllimi i këtij takimi natyrisht lidhet në mënyrë të qartë me votën e qytetarëve të Kavajës. “Partia Socialiste nuk i ndan qytetet, as njerëzit në të majtë dhe në të djathtë, përkundrazi, kërkon një bashkim të të gjithë shqiptarëve, që sot janë të zhytur në papunësi, varfëri dhe kërkojnë shpresë e rrugëzgjidhje për problemet e tyre. Ne do të nisim më 28 qershor betejën e madhe me varfërinë e papunësinë dhe PS-ja do të bëjë gjithçka çfarë do të premtojë”, - deklaroi Rama lidhur me këtë çështje.

Dështimi

Takimi i kreut socialist Edi Rama me rrjetin e vullnetarëve të “Bashkimit të ri për ndryshim” në qytetin e Kavajës ishte planifikuar të zhvillohej pak ditë më parë, por takimi i parë dështoi, për shkak se nuk u arrit që gjendej një mundësi për lirimin e sallës ku ishte menduar të zhvillohej takimi. Madje, jo pak zëra brenda dhe vetë radhëve të socialistëve hodhën dyshimin se ishin pikërisht përfaqësuesit e Partisë Demokratike në këtë qytet ata që bën të pamundur që takimi i Ramës me të rinjtë vullnetarë të këtij qyteti të zhvillohej.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›