Rama, kusht fatorinove të linjës Kombinat-Kinostudio, kush nuk kap normën paguan nga rroga
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama zhvat pagat e fatorinove për të mbushur arkën e bashkisë. Linja Kombinat- Kinostudio, e vetmja linje shtetërore në kryeqytet dhe nga më problematiket përsa i përket kushteve, ka në dispozicion 20 autobusë.
Që dita të quhet me fat, fatorionoja duhet të plotësojë normën ditore që varjon nga 150 mijë lekë për paraditen dhe 130 lekë për pasditen, në të kundërt ai duhet ta plotësojë atë nga rroga e tij. Nertili, një djalë rreth të tridhjetave i cili punon si fatorino i kësaj lindjeje, tregon për gazetën Sot peripecitë me të cilat ai dhe shokët e tij përballen çdo ditë për të arritur normën e caktuar. Puna për ne është bërë e padurueshme ku sikur të mos mjaftonte lodhja fizike duhet të luftojmë çdo ditë për normën ditore e cila shpesh bëhet e pamundur për shkak të konkurrencës së lartë. Për të udhëtuar përgjatë këtij segmenti rrugor që nis nga Kombinati dhe përfundon në Kinostudio ke në dispozicion disa autobusë të linjave private por edhe furgonë, çka sjell reduktim të pasagjerëve. Por, mbi të gjitha ajo që mendoj se ndikon më shumë, janë kushtet tejet të këqija të kësaj linje, ku autobusët janë tejet të amortizuar ndaj dhe qytetarët përpiqen që ti shmangin me sa mundësi kanë, rrëfen Nertili, duke shtuar se paga që merr një fatorino është 170 mijë lekë në muaj, por edhe atë nuk e marrin të plotë, për shkak se nuk arrijnë të realizojnë normën ditore të përcaktuar nga bashkia. Ndërsa përsa i përket rinovimit të kësaj lindjeje me investime të tjera, Nertili tregon se edhe për disa vite, situata do të jetë e njëjtë dhe qytetarët do të duhet të udhëtojnë me këto autobusë. Është folur shumë herë nga bashkia për zëvendësimin e këtyre autobusëve të amortizuar me të rinj por këto kanë mbetur veç fjalë boshe. Transporti urban do ndryshojë, por kjo do të ndodhë kur të mos jetë më Edi Rama kryetar bashkie, shton fotorino.
Kushtet skandaloze të urbanëve
Qytetarë që ngjeshën pas njeri-tjetrit deri duke u zvarritur dyerve si majmunë, është kjo panorama e parë që ndesh rëndom në linjën Kombinat-Kinostudio. Në këtë linjë lëvizin çdo ditë rreth 20 autobusë, që vetëm emri u ka ngelur i tillë. Cilësia e këtyre autobusëve lë shumë për të dëshiruar. Edhe pse kjo është një linjë mjaft e gjatë për tu përshkuar, deri më sot askush nuk ka vënë dorë për ti rregulluar dhe nuk është bërë asnjë investim, për të sjellë qoftë edhe një autobus të vetëm, të ri. Këta autobusë janë krejt të amortizuar dhe thuajse nuk pastrohen asnjëherë. Ata duhet të kishin dalë tashmë nga përdorimi, por për çudi vazhdojnë të transportojmë ende udhëtarë. Aty mungojnë xhamat, dyshemetë janë të hapura dhe era e pakëndshme që të ofrohet ta sjell në majë të hundës udhëtimin. Por ndërsa kryebashkiaku Edi Rama kërkon nga linjat private që operojnë në kryeqytet përmirësimin e kushteve duke i përafruar ato me vendet e BE, qytetarët i kërkojnë atij që këtë reformë ta nisë nga linja e vetme shtetërore Kombinat- Kinostudio që është në varësi të tij.
Qytetarët: Le ta bëjë një xhiro dhe Rama në urban
Linja Kombinat-Kinostudio është shembulli më i mirë i keqqeverisjes dhe keqadministrimit nga Bashkia e Tiranës. Të lëvizësh me autobusin e kësaj linje është një tmerr i vërtetë. I kërkoj kryebashkiakut Rama të vijë të bëjë një xhiro për të parë së çfarë torture heqin qytetarët shprehet Xhevdetja, një zonjë rreth të pesëdhjetave. Ndërsa Bledari, është një i ri i cili përveç kushteve të autobusëve, shqetësohet edhe nga drejtuesit e këtyre mejetev. Mirë kushteve se kush pyet, por vëmë në rrezik edhe kokën. Këta ecin si të çmendur sikur janë në garë me njëri-tjetrin se kush ecën më shpejt. Një miku im ka thyer krahun pasi shoferi nuk ndaloi në stacion duke e marrë zvarrë. Ky popull e di çfarë po heq, pohon ai. Mjetet e transportit urban në kryeqytet ende nuk kanë gjetur një rrugëzgjidhje definitive. Shoqata e transportit urban është në dijeni të të gjitha problemeve dhe peripecive me të cilat ndeshen çdo ditë qytetarët por në vend të investimeve dhe përmirësimit të këtij shërbimi, këtë shoqatë jemi mësuar ta dëgjojmë vetëm në rastet kur kërkon rritjen e çmimit të biletës së transportit.
Athina Mëhilli