Rama, ky “burri” që qan se “po e rreh Jozefina”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u përgjigjet akuzave të Edi Ramës për mandatin e lënë nga Rudina Seseri, duke kujtuar se “Edi Rama, sa herë është në hall, fshihet o pas ‘gjethes së fikut’, o në ‘kuti’, o në ‘çadër’, o në ‘sirtar’”. Ajo ripërsërit vullnetin për të bashkëpunuar me opozitën për plotësimin e vendeve vakante në institucionet kushtetuese apo bordet që përzgjedh parlamenti, sapo opozita të përmbushë detyrimet e saj për kandidaturat apo respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese
“Ky ‘burri’ që qan se ‘po e rreh Jozefina’, bën mirë t’u shpjegojë shqiptarëve, dhe veçanërisht socialistëve, se Përse, ndodhemi në këtë situatë. Edi Rama sa herë që ka hall përpiqet të fshihet kudo që mendon se i bën bisht realitetit”.
Kështu u shpreh dje kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në përgjigje të akuzave të lidershipit socialist, Edi Rama lidhur me mandatin e lënë nga Rudina Seseri. Kryeparlamentarja Topalli i kërkoi Ramës të sqarojë se ku qëndron përgjegjësia e saj në rastin e ardhjes së Seserit si deputete në Kuvend, për faktin se për tre vjet Seseri konsumoi mandatin vetem tre ditë apo kur vendosi të jepte dorëheqjen.
Sipas saj, rasti i Seserit është unik në historinë e parlamentarizmit, teksa një anëtar i tij vendos të zhbëjë mandatin dhe të largohet prej aty duke lënë pas përçmimin.
“Në historinë e Kuvendit, është unik rasti Seseri në përçmimin që ajo i bën Parlamentit dhe atyre që e kanë zgjedhur. Ky është rasti i degradimit, apo fenomeni i pashembullt i Partisë së miliarderëve me Kryetar ‘fukara’”, vlerësoi ajo.
Thelbi nuk ndryshon, garantoi dhe një herë Topalli: mandati është dhe mbetet i Partisë Socialiste, por aktualisht Parlamenti, Këshilli i Rregullores, KQZ-ja, ndodhen përpara një situate që duhet sqaruar në modalitetet e saj.
“Aktualisht Parlamenti, Këshilli i Rregullores, KQZ-ja, ndodhen përpara një situate që duhet sqaruar në modalitetet e saj, pra se si duhet të realizohet; dhe jo ne thelb, pasi askush, (përveç zotit Rama) nuk ka vënë në pikëpyetje faktin që në poltronin e zonjës Seseri në parlament, do të ulet një ‘Seser’ tjetër, po ashtu socialist. Problemi është që ‘Seser’ apo jo, zotëria që ka radhën për të hyrë në Kuvend, duhet të hyjë me dinjitetin dhe respektin ndaj Kushtetutës dhe ligjit, mbi të cilën jemi betuar të gjithë ne”, vijoi kryeparlamentarja.
Sipas Topalli, pasuesi i zonjës Seseri duhet të hyjë në Kuvend, me dinjitetin dhe respektin ndaj Kushtetutës dhe ligjit
“Nuk mund të hyjë as nga penxherja, e as nga dera e pasme, e në asnjë mënyrë tjetër që mund të shpikë ‘mosmarrëveshje’ mes Edi Ramës dhe udhëheqësve socialistë në Kuvend”, tha ajo.
Kjo marrëveshje që Topalli konstaton, qëndron tek interpretimi diametralisht i kundërt i Ramës dhe Ruçit mbi ligjshmërinë e vendimit të KQZ, vendim pas të Gjon Bardhi sot ka dy mandate, të kryetarit të bashkisë dhe të deputetit
“Duke qenë se Këshilli i Rregullores nuk funksionon me shumicë votash por në barazi të plotë përfaqësimi 5 anëtarë nga mazhoranca dhe po 5 nga opozita, deri sa zoti Rama të ndajë përfundimisht mendjen mbi ligjshmërinë ose jo të akteve ligjore të prodhuara deri tani për këtë çështje, ‘i mjeri Këshill’, me gjithë socialistë brenda, është i bllokuar në dhënien e çdo opinioni dhe arritjen e çdo konkluzioni”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit.
Kryetarja e Kuvendit sqaroi se asnjë nen i Kushtetutës, Rregullores apo Kodit Zgjedhor, nuk e autorizon atë të japë apo të heqë mandat deputeti.
Po ashtu kryeparlamentarja Topalli hodhi poshtë dhe pretendimet e kreut socialist për vendet vakante në bordet e medias, ku Rama ka tre vjet që nuk sjell propozimet e opozitës. “Gjej rastin që publikisht të ripërsëris për të disatën herë në tri vjet, kërkesën për zotin Rama dhe partinë qe ai drejton, që të sjellin kandidaturat për vendet vakante qe i përkasin opozitës në, ‘Bordin e TVSH’ dhe ‘Këshillin Kombëtar të Radio Televizioneve’, vende këto të lëna bosh qe prej tri vitesh, njësoj si poltrona e zonjës Seseri ne Parlament”.
Për akuzat për vendet vakante në organet kushtetuese, kryeparlamentarja e orientoi Ramën që ta marrë përgjigjen në Presidencë. “Për sa i përket ‘Vandakut të mandateve për funksionet Kushtetuese’, atë, Edi Rama duhet ta kërkojë në ‘sirtarët e Presidencës’ aty ku e ka dërguar me vendim Kuvendi me votën e tij në seancë plenare dhe jo Jozefina; por aty unë nuk e ndihmoj dot, nëse kërkon, do të gjeje me siguri një votues të tij të devotshëm që do ta sqarojë”, nënvizoi ajo.
Topalli solli edhe një herë në vëmendje se debati është i zgjidhshëm brenda kuadrit kushtetues e ligjor, nëse Rama nuk ka për objektiv bllokimin e reformave dhe prishjen e konsensusit. “Deri tani në fakt, Edi Rama ka kërkuar si gjithnjë një ‘gjethe fiku’. ‘Gjethe fiku’. o në ‘kuti’, o në ‘çadër’, o në ‘sirtar’. Problemi është se edhe po e gjeti, ajo nuk e mbulon, veçse të turpëron”, përfundoi deklaratën e saj Topalli.
...