E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama lë PS-në në rrugë të madhe

Edvini u përcolli mbrëmë lajmin e kobshëm protestuesve dhe grevistëve, të cilët prej 19 ditësh me radhë u mësuan me jetën e kampistit, duke besuar verbërisht në një kauzë të suksesshme, por që rezultoi një falimentim i plotë. Pas 19 ditësh, Rama s’e mbajti dot më skemën e mashtrimit, por shpalli dështimin e strategjisë për mbajtjen peng të integrimit të Shqipërisë në BE

Fakti 1/Për një darkë me Saliun, Rama futi 200 vetë në grevë urie

Mbyllet greva e urisë e Partisë Socialiste. Edvin Rama pranon dështimin e plotë të kauzës së udhëhequr prej muajsh të tërë, duke u konfirmuar kështu para socialistëve të thjeshtë si aksioni i skupeve dhe interesave personale. Gjatë protestës së djeshme të pasdites pas deklaratave të Spartak Ngjelës, Blendi Klosit dhe Ilir Beqajt, Edvini nuk doli në podium për minuta të tëra, nga turpi i pranimit të bllofit përpara dhjetëra protestuesve dhe grevistëve, të cilët jo si çdo herë do kërkonin shpjegime se pse për ditë dhe muaj të tërë ata janë keqpërdorur dhe dhunuar në mënyrën më të pazakonshme që është njohur ndonjëherë. Kryesocialisti doli si zakonisht të përshëndesë protestuesit dhe grevistët, por jo si gjithmonë, këtë herë i duhej të merrte mbi supe një përgjegjësi akoma edhe më të madhe, pasi do t’u përcillte atyre lajmin e kobshëm të mbylljes së grevës së urisë, duke firmosur kështu kapitullimin e kauzës opozitare.
“Ju shpreh të gjithëve mirënjohjen e thellë, për mbështetjen, kurajën, për pasionin me të cilin jeni bërë pjesë në këtë rrugë të vështirë. Kjo mirënjohje është për ju që jeni këtu, është për të gjithë ata që na ndjekin sot, nëpërmjet kamerave të televizioneve që nuk i janë ndarë kësaj proteste të pandalshme. Nesër, përfaqësuesit e majtës dhe të djathtës evropiane, presin në tryezë të dyja palët, për të kërkuar zgjidhjen dhe për t’i hapur rrugën transparencës, por edhe sfidave përballjes me sfidat e integrimit. Jemi të gatshëm t’i japim zgjidhje kësaj krize, t’i hapim rrugën e integrimit të vërtetë të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Ky nuk është fundi i betejës sonë, por një moment i besueshëm, por një moment për të shprehur të gjithë vullnetin tonë një zgjidhja dhe transparenca të bëhet. Ne jemi të gatshëm t’i japim zgjidhje krizës së krijuar, ne jemi të gatshëm të hapim rrugën e liberalizimit të vizave dhe të integrimit të vërtetë të Shqipërisë, drejt Bashkimit Evropian. Prandaj dëshiroj që të gjithë së bashku t’u bëjmë një ftesë atyre që janë ende në sakrificën e grevës së urisë, që të bien në të njëjtën mendje me ne për ta ndalur atë. Ne nuk e kemi harruar për asnjë sekondë të vetme se në ç’moment është vetë Shqipëria dhe se një pjesë e rrugës sonë drejt Bashkimit Evropian është vendi ynë i përbashkët”- u shpreh kryesocialisti në fjalën e tij përpara protestuesve dhe grevistëve, duke u munduar të bindë ata se mbyllja e grevës bëhet për arsye të forta dhe jo për dështimin e kauzës opozitare, një kauzë e paqenë dhe pa asnjë bazë ligjore, morale dhe etike.
Pas 19 ditësh torture në bulevardin qendror të kryeqytetit, grevistët nga dita e djeshme kanë mundësi të shkojnë nëpër shtëpitë e tyre, duke shënuar kështu mbylljen e një cikli të dështuar migracioni, pasi gjithçka u nis nga opozita dhe u mbyll po nga ajo.
Vendimi për kapitullimin e qëndrimit opozitar vjen dhe në një kohë kur faktori ndërkombëtarë po lëshonte deklarata të përditshme dhe inkurajoi në vazhdimësi zhvillimin e dialogut, për gjetjen e një zgjidhjeje konstruktive, brenda kuadrit ligjor. Duke qenë se opozita nuk kishte asnjë fakt dhe argument që t’u përgjigjej kërkesave të saj, u vendos jo vetëm mbyllja e grevës së urisë, por edhe ndalimi i protestave. Premtimi i dhënë para socialistëve të thjeshtë dhe deputetëve, të cilët ai i dhunoi, i keqpërdori, i demaskoi në mënyrën më të turpshme, duke i vënë në shërbim të tekave të tij personale, u shemb dje me një fjalë goje se “greva do të mbyllet”...
Në tërësi, vetë situata nuk ka nevojë për shumë interpretim, pasi gjithkush është i vetëdijshëm që Edi Rama ka si objektiva primarë interesin e tij personal, pavarësisht është ne shkelje flagrante me perspektivën madhore të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Edi Rama foli për herë të parë nga “skena e teatrit” ambulant se është i interesuar për integrimin e Shqipërisë dhe liberalizimin e vizave. Kjo deklaratë, sigurisht, ra menjëherë në vesh të dëgjuesve të rregullt të fjalive boshe të ylberistit, pasi për 19 ditë me radhë, ai nuk bllokoi bulevardin qendror të kryeqytetit, por bllokoi rrugën e integrimit të Shqipërisë në familjen e madhe evropiane. Tashmë, kjo u zgjidh, Shqipëria u çlirua nga kthetrat e egra të pinjollëve të nomeklaturës komuniste dhe sheh të udhës të ndjekë rrugën drejt prosperitetit dhe integrimit evropian.

Fakti 2/Ikin çadrat, regjistrohet çlirimi i vërtetë i Tiranës

Askush më shumë se qytetarët e Tiranës nuk janë të gëzuar për mbylljen e grevës së urisë së Partisë Socialiste, pasi kryeqytetasit, më në fund të lëvizin të lirë, pa barriera penguese, në bulevardin qendror, “Dëshmorët e Kombit”. Pas ditësh të tëra stërmundimi dhe vuajtjesh qytetarët e Tiranës, do kenë privilegjin e jashtëzakonshëm, për të lëvizur të lirë dhe pa barriera “doganore”, në bulevardin e tyre, i cili deri dje ishte i zaptuar nga një klikë e sëmurë, për të sjellë rrokadë dhe destabilizim të rendit civil në vend.
Instalimi i kampit të çadristëve, madje i njohur ditët e fundit si kampi i turpit, pasi askush nuk po e kuptonte se cila është arsyeja që duhet të diskriminohen qytetarët e Tiranës, për të qarkulluar lirshëm në një prej segmenteve më jetikë të kryeqytetit, segmentit ndaj të cilit ata janë taksapagues të bashkisë së Edi Ramës.
Më keq akoma dhe më e pakonceptueshme është fakti kur mendohet se bulevardi u zu nga kryebashkiaku i kryeqytetit, nga ku në asnjë vend të botës nuk është njohur një precedent i tillë.
Një precedent i turpshëm, që mund t’i japë përgjigje vetëm Edi Rama, i cili mesa duket paguhet nga taksat e qytetarëve, për të zënë rrugët dhe jo për t’i sistemuar e rregulluar ato.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›