Shkulen çadrat, mes protestës së Artës e Ermelindës...
Ditari online i disidentit grevist të çadrës së jugut
Mjaltëz, s’po të shkruaj nga çadra ime e disidencës, por nga qendra e parë e internetit, që gjeta hapur, në këtë terr të 19 majit. S’po më durohej, moj grua, sa të vija në shtëpi, se e di se ajo historia e Penelopës, është e zmadhuar, prandaj të shkruajta shpejt e shpejt që të të them se jemi të lirë e se po vij për në shtëpi. Nuk e di se si vinin burrat kaonë tek gratë e tyre ilire, por unë po vij më i fortë sesa hyra. Përfundimisht, kokrrat që më jepte Shegushe Ligori, forcimi që i bënte regjistrit Elsa Lila dhe lëvizshmëria me aromën e fortë që lëshonte Ilir Beqja më kanë bërë mirë, mjaltëz. Ndihem qiqërr, veç meraku për ty, s’më linte rehat e më shtyu të futesha tek çadra e parë që hasa - më fal, e dashur, qendra e parë e internetit që hasa. Ti e di se ç’kam hequr, këto dy ditë që s’kishim internet, nga vendimi censurues i Koços. Disidenca ka qenë e madhe në çadra, mjaltëz, këto ditë... E s’kam qenë fare i vetmuar në kritikat ndaj kryetarit, i cili nisi të mos fshihte më ushqimet e as takimet kokë më kokë në njërën nga çadrat e veriut (siç më thoshin gjithmonë Olta apo Beqja, kur mungonin). Ai mendonte veç për takimin e madh, për uljen në tavolinë me atë të madhin e qeverisë, me atë të madhin e mazhorancës, me atë të madhin e Shqipërisë... Por mendo lodhjen tonë, që s’dinim ku të fshihnim zijafetet. Ishim përgatitur për rrethim të gjatë, kur na vjen më shpejt lirimi. S’dinim as të gëzoheshim, mjaltëz, se s’ishim të përgatitur. Kauza jonë s’u mori vesh a do mbushej, as a do hapeshin kutitë. Tollovia më e madhe ishte zhgënjimi i Artës dhe i Ermelindës që kishin sjellë në çadra gjithë takëmet e tyre dhe rrobat që i kishin ndarë sipas kalendarëve të deklaratave, nën etiketat “kostumi i ditës së parë, kostumi i ditës së dytë..., kominoshet e ditës së pestë...”. Të shkretat, e kishin vuajtur shumë mençurinë që tregoi Shegushi, që u fut e para në grevë dhe mbajti nja dy a tre fjalime që nga çadra. Se kush u kishte thënë këtyre grave të moshës së tretë se po humbisnin terren dhe vendosën të mbanin radhën për çadrat.
Por s’qe e thënë. Kryetari s’i ka shumë qejf moshat e treta, bile s’i ka fare qejf këto gratë e politikës. Prandaj, edhe e mbylli grevën, se mbetën veç burrat e vjetër të politikës, ca kuksianë dhe ky Fatmiri, që kujtonte se duke hedhur trëndafila si në kohën e mërhumit, do të ricikiklojë veten në politikë. Asgjë grua s’do të ndodhë. Prapë Peza e ka fuqinë, Peza e kuajve dhe e fermës, jo Peza e mbledhjeve të partisë. çadrat e dogjën shansin e tyre, prandaj më prit, mjaltëz, se po vij, por mendo se si do jetojmë tani, pa bukë qyl e pa pasionin që nga ngjalli largësia.
Do bëjmë si do bëjmë grua, dhe në mënyrë krijuese do e mposhtim krizën e moshës së mesme.
Po vij, mjaltëz, e s’do ketë kryetar e çadër që do na ndajë, se ne jemi kaonë, jemi ilirë, jemi shqiptarë.