E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama letër BE: Analiza e zgjedhjeve, jo për të ndryshuar rezultatin e Tiranës

“Opozita shqiptare do ta luajë rolin që sot i dikton sfida e Integrimit, me vetëdijen e urgjencës së nënvizuar prej jush, lidhur me reformat esenciale që i duhen vendit në aspektin Kushtetues, Zgjedhor e Institucional, përfshirë edhe një Reformë të thellë Parlamentare”

“Duhet adresuar pa ekuivok, jo për të ndryshuar tanimë rezultatin e gënjeshtërt të Tiranës, i cili njësoj si në 2009, u vulos nga një gjykatë zgjedhore aspak e pavarur, po për të hapur rrugën e një dialogu serioz dhe ndërtuar qasjen e duhur ndaj së ardhmes”

Një ditë pas takimit të tretë të Këshillit të Stabilizim Asociimit Shqipëri-Bashkim Europian, kryetari i PS, Edi Rama i ka nisur një letër dy zyrtarëve të lartë europian, Catherine Ashton dhe Stefan Fule, në të cilën teksa i falenderon ata për qëndrimet e mbajtura për zgjedhjet e fundit vendore në vendin tonë, nuk nguron të japë dhe vlerësimin e vet se ato përkeqësuan më tej situatën politike. Duke iu referuar pikërisht procesit zgjedhor që lamë pas, Rama në letrën e vet evidenton se zgjedhjet treguan edhe një herë mosfunksionimin e shtetit të së drejtës dhe në mënyrë të veçantë të administratës zgjedhore. “Për fat të keq, zgjedhjet vendore të 8 Majit 2011 e përkeqësuan më tej situatën politike. Ato nxorën në pah mosfunksionimin e Administratës së Lartë Zgjedhore dhe të vetë Shtetit të së Drejtës, si edhe rrezikuan shumë seriozisht një shans tjetër për vendin tonë në rrugën e vështirë të Demokratizimit e të Integrimit Europian”, - shprehet Rama në letrën e vet drejtuar Catherine Ashton dhe Stefan Fule. Më tej, Rama informon dy zyrtarët e lartë të BE-së me qëndrimin e opozitës se zgjedhjet vendore, dhe sidomos ato në Tiranë, u vodhën nga mazhoranca. Ndaj, thekson Rama më tej në letrën e tij, kjo përbën një problematikë që kërkon vëmendje dhe trajtim jo në funksion të ndryshimit të rezultatit të këtyre zgjedhjeve, por për të qenë baza që duhet të detyrojë mazhorancën që të ulet në tryezën e bisedimeve, për një reformë të thellë të gjithanshme institucionale dhe kushtetuese. “Ne jemi të bindur se e vërteta e hidhur e këtij procesi pa standarde, ku fitorja e opozitës u grabit ditën për diell dhe administrata zgjedhore, KQZ-ja e Kolegji Zgjedhor, manifestuan brutalisht mungesën e Rendit Ligjor në Shqipëri, duhet adresuar pa ekuivok jo për të ndryshuar tanimë rezultatin e gënjeshtërt të Tiranës, i cili njësoj si në 2009, u vulos nga një gjykatë zgjedhore aspak e pavarur, po për të hapur rrugën e një dialogu serioz dhe ndërtuar qasjen e duhur ndaj të ardhmes”, - thuhet në letrën e Ramës. Nga ana e tij, Rama siguron dy përfaqësuesit e lartë të BE-së se opozita është e gatshme që të japë kontributin e saj në këtë reformë, që për socialistët konsiderohet si e domosdoshme. “Përfitoj nga rasti t'ju siguroj se Opozita Shqiptare do ta luajë rolin që sot i dikton sfida e Integrimit Europian të Shqipërisë, me vetëdijen e urgjencës së nënvizuar prej jush, lidhur me reformat esenciale që i duhen vendit në aspektin Kushtetues, Zgjedhor e Institucional, përfshirë edhe një Reformë të thellë Parlamentare”, - shprehet më tej kryesocialisti në letrën e vet. Duke mbështetur deklaratat e drejtuesve të lartë evropianë, lidhur me situatën politike në vend, Rama i bën të ditur atyre se PS është në pritje të raportit final të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore, ashtu si dhe përshëndet nismën e sekretarit të përgjithshëm të KiE-s, për t’ju drejtuar për opinion Komisionit të Venecias. Pavarësisht vlerësimit të tij se zgjedhjet, sidomos në Tiranë, qenë të turpshme, Rama i garanton përfaqësuesit e BE-së se opozita do të bashkëpunojë për të plotësuar të gjitha prioritetet e vëna si kushte Shqipërisë, për ecurinë e procesit integrues. “Duke Ju siguruar se tek Opozita Shqiptare do të gjeni vijimësisht një përfaqësues të denjë të aspiratës europiane të popullit shqiptar dhe duke Ju garantuar po ashtu se 12 prioritetet e përcaktuara prej Komisionit Europian janë edhe prioritete të axhendës sonë, lejomëni t'Ju shpreh konsideratat e mia më të larta për punën Tuaj fisnike”, - mbyllet letra e Ramës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›