E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama letër kryetarëve të partive parlamentare: Takim për zgjedhjen e presidentit

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u ka dërguar letër të gjithë kryetarëve të partive parlamentare. Në letër, lideri i opozitës duke e konsideruar kyç procesin e zgjedhjes së presidentit të ri për integrimin e vendit në BE, ka ftuar Berishën, Metën, Idrizin, Mediunm, Dulen dhe Oketën në takim për të hapur dialog konstruktiv për këtë çështje.

Në emër të Partisë Socialiste dhe të të gjitha asaj mase të madhe qytetarësh shqiptarë që Partia Socialiste përfaqëson në Kuvend, dëshiroj tju ftoj me anë të kësaj letre të takohemi drejtpërdrejtë, për të këmbyer pikëpamjet tonë dhe për të tentuar të hapim një dialog konstrukti mes të gjitha palëve lidhur me rëndësinë madhore të ndërtimit të një proces të dobishëm për vendin në zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, shprehet Rama në letër.

Letra e kreut të opozitës

Rama në letër ka kërkuar që zgjedhja e presidentit të behet me dialog dhe konsensus midis të gjitha palëve.  Kryetari i opozitës thekson se zgjedhje e presidentit ka një rol te rëndësishëm për kontekstin në të cilin ndodhemi për shkak se viti 2012 shënon 100-vjetorin e pavarësisë dhe gjithashtu në vjeshtë të këtij viti shqiptarët presin përgjigje për marrjen e statusit kandidat në Bashkimin Evropian. Rama vë theksin tek roli i përfaqësuesve politikë që duhet të bëjnë gjithçka munden që Komisioni Evropian të mbështesë Shqipërinë në ngjitjen e shkallës përfundimtare për integrimin e plotë ne BE.

“Unë besoj se simbolika e 100 vjetorit të pavarësisë e forcon kontekstin historik të përpjekjeve për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian dhe, në një farë mënyre e bën më të madhe  peshën e suksesit apo të disfatës së politikës shqiptare në këtë vit jubilar e në këtë rast konkret të zgjedhjes së presidentit gjithashtu” shkruan kryetari i PS-së.

Letra e Ramës dërguar kryetarëve të partive parlamentare:

Ju shkruaj për të ndarë me ju, drejtpërdrejt po edhe publikisht, bindjen se në frymën e Kushtetutës së Shqipërisë procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës është shumë më shumë se sa një procedurë parlamentare e radhës. Për më tepër në kontekstin e sotëm historik të Shqipërisë, që për të tretin vit radhazi synon të ngjitet në shkallën e kandidatit për Bashkimin Europian, kjo zgjedhje kërkon një vlerësim dhe vëmendje të veçantë.

Shqiptarët pa dallim presin një përgjigje pozitive nga Komisioni Europian për aplikimin për statusin e kandidatit. Po edhe miqtë e partnerët tanë europianë dhe Shtetet e Bashkuara po njësoj, si mbështetës të palëkundur të vendit tonë në rrugën e integrimit, nuk e dëshirojnë që aplikimi i Shqipërisë të refuzohet për të tretën herë këtë vjeshtë. Ata së bashku kanë bërë dhe po bëjnë gjithçka munden që kjo të mos ndodhë.

Mirëpo, padyshim, në radhë të parë jemi vetë ne përfaqësuesit politikë të shqiptarëve që duhet të bëjmë gjithçka mundemi që Komisioni Europian të na mbështesë në ngjitjen e shkallës së parafundit për integrimin e plotë në Bashkimin Europian.

Nuk mund të vihet në diskutim se procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës është një provim shumë i rëndësishëm për Shqipërinë drejt momentit kyç të vjeshtës së ardhshme, që përkon edhe me 100 vjetorin e shtetit shqiptar. Pesha e madhe simbolike e 100 vjetorit i jep një rëndësi ende më të veçantë edhe procesit të nevojshëm politik që duhet të rezultojë me zgjedhjen për President të një figure e cila në frymën e Kushtetutës sonë simbolizon unitetin kombëtar.

Unë besoj se simbolika e 100 vjetorit të pavarësisë e forcon kontekstin historik të përpjekjeve për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian dhe, në njëfarë mënyre, e bën më të madhe peshën e suksesit apo disfatës së politikës shqiptare në këtë vit jubilar, e në këtë rast konkret të zgjedhjes së Presidentit gjithashtu.

Me po kaq rëndësi besoj gjithashtu se është edhe për qytetarët shqiptarë, që në fund të një procesi të mundshëm gjithëpërfshirës mes gjithë palëve parlamentare për zgjedhjen e kreut të shtetit, të kenë në krye të shtetit një President garant të Kushtetutës dhe të institucioneve apo të proceseve kushtetuese që lidhen me kreun e shtetit, e jo një noter partiak të një pale të vetme.

Prandaj, në emër të Partisë Socialiste dhe të të gjithë asaj mase të madhe qytetarësh shqiptarë që Partia Socialiste përfaqëson në Kuvend, dëshiroj tJu ftoj me anë të kësaj letre që të takohemi drejtpërdrejtë, për të këmbyer pikëpamjet tona dhe për të tentuar të hapim një dialog konstruktiv mes të gjitha palëve lidhur me rëndësinë madhore të ndërtimit të një procesi të dobishëm për vendin në zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës.

Mbetem në pritje të një përgjigjeje nga ana Juaj për këtë kërkesë dhe jam i gatshëm tJu takoj pa humbur kohë.

Edi RAMA

Kryetar i PARTISË SOCIALISTE

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›