E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama mbështetje nga PES: Kriza,pasojë e qeverive të djathta

ATHINË- U mbyll në Athinë samiti i socialistëve europianë dhe përfundimi që doli prej tij ishte se kriza ekonomike që ka pllakosur Greqinë por edhe shumë vende në Evropë, ka ardhur si pasojë keqqeverisjes së të djathtëve dhe janë të majtët ata që po përpiqen të menaxhojnë dhe të tejkalojnë krizën.

Presidenti i partive socialiste evropiane Pol Rasmusen kritikoi shumicën e qeverive të djathta të BE, duke permendur Gjermaninë dhe Francën për mungesë solidariteti ndaj shteteve anëtare që po përballojnë krizën e vështirë ekonomike. “Greqia është në duart e duhura, ndërsa Europa në duart e gabuara”, ka theksuar Rasmussen.

Pasi është informuar nga kryesocialisti shqiptar për situatën politike dhe ekonomike në Shqipëri presidenti i eurosocialisteve tha se ndjek më shqetësim zhvillimet në vendin tonë.
Por ai i mbylli takimet e tij me një deklaratë shpresëdhënëse, sipas sëcilës në këtë botë të pasigurt, socialistët do të gjejnë rrugën e duhur.

Eurosocialistët në deklaratat e tyre kanë shprehur edhe shpresën për kryerjen e zgjedhjeve të drejta e të ndërshme në Shqipëri, pasi kanë dëgjuar shqetësimin e Edi Ramës për faktin se sipas tij, zgjedhjet e 8 majit janë tërësisht të rrezikuara.

Sipas kreut të socialistëve shqiptarë, “kriza në Shqipëri është e gjithanshme dhe nuk mund të zgjidhet pa u larguar qeveria që ka vrarë katër demonstrues më 21 janar”.
Ndërkohë, gjatë qëndrimit në Athinë, Edi Rama zhvilloi edhe një takim me emigrante shqiptarë që jetojnë në Athinë dhe qytete të tjera të Greqisë.

Gjatë fjalës së tij, Rama akuzoi edhe njëherë qeverinë Berisha, për vrasjen e njerëzve të pafajshëm në demonstratën e 21 Janarit.
Rama lëshoi kritika edhe për faktin që sipas tij, qeveria po pengon me hetimin dhe po lufton insitucionet e pa varura, mediat e pavarura dhe strukturat shteterore qe po hetojne mbi tragjedine e 21 janarit.

Rama tha se e vetmja forcë politike që mund të kapërcejë këtë situatë ku ndodhet vendi është PS.

Rama garantoi ndihmen e partise socialiste për krijimin e politikave të posacme dhe ndërmjetësimin me Greqinë për njohjen e viteve të punës.

(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›