E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet e 8 Majit partitë 2 ditë kohë për tu regjistruar

TIRANE- Kur ka mbetur vetëm dy ditë nga afati ligjor i regjistrimit të partive politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet vendore të 8 majit, një numër subjektesh politike, mes të cilave dhe PS dhe PBDNJ, nuk janë regjistruar ende në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.

Tetë marsi është afati ligjor i regjistrimit të partive politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet vendore të 8 majit.

Kodi zgjedhor parashikon që regjistrimi i partive politike duhet të kryhet, maksimalisht deri 60 ditë para ditës së zgjedhjeve dhe sipas të dhënave nga KQZ, deri tani pranë këtij institucioni kanë paraqitur kërkesën për regjistrim 26 subjekte politike, ndërkohë që asnjë prej tyre nuk i përket partive të majta. Komisioni Zgjedhor ka miratuar deri tani 21 prej këtyre partive si pjesëmarrëse në garën elektorale të 8 majit.

Në mbledhjen e fundit të KQZ-së, të zhvilluar pa praninë e përfaqësuesve të opozitës, kryetari Arben Ristani theksoi se afati për regjistrimin e partive është 8 Marsi dhe u bëri thirrje PS dhe PBDNJ të respektojnë afatet.
"Shpresoj që të gjithë janë të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm që ligji duhet zbatuar, sepse në të kundërt do të përballen me pasojat ligjore", deklaroi në mbledhjen e fundit kryetari i KQZ-së, Arben Ristani.

Deklaratat e z. Ristani për respektim të afateve të regjistrimit të partive për procesin zgjedhor vijnë pas precedentit të kalimit të afatit për regjistrim të komisionerëve të Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ), një precedent ky i krijuar nga partitë e opozitës.

KZAZ-të, sipas ligjit duhej të ishin konstituar në datën 7 shkurt, dhe në kushtet kur partitë e majta nuk iu përgjigjën afateve edhe pas lëshimit të KQZ, ky i fundit e zgjidhi ngërçin pak ditë më parë, duke i plotësar vendet vakante të opozitës në 66 KZAZ-të e vendit me përfaqësues nga shoqëria civile. Tashmë ka nisur puna në KZAZ-të në të 12 qarqet e vendit, në funksion të përgatitjes së zgjedhjeve lokale, që janë vlerësuar si shumë të rëndësishme nga faktorët dhe aktorët e rëndësishëm ndërkombëtarë.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›