E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fondi Egjiptian, Berisha takon Sekretarin e Përgjithshëm



Kryeministri Sali Berisha takoi dje Sekretarin e Përgjithshëm të Fondit Egjiptian për Bashkëpunimin Teknik, Samah M. Sotouhi. Kryeministri Berisha falënderoi qeverinë egjiptiane për ndihmën e dhënë qeverisë shqiptare, kryesisht në ofrimin e një numri të madh bursash trajnimi për rreth 2000 specialistë të administratës publike. Berisha theksoi rëndësinë që qeveria i jep thellimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi nëpërmjet realizimit të projekteve në fushat parësore për qeverinë shqiptare, ku përmendi bujqësinë dhe “Shqipëria dixhitale”. Nga ana e tij, Samah M. Sotouhi shprehu mirënjohjen për pritjen e ngrohtë dhe takimet shumë të frytshme që ka zhvilluar me disa ministra të qeverisë gjatë kësaj vizite dhe i ritheksoi Kryeministrit Berisha se qeveria egjiptiane është e gatshme të mbështesë me financime dhe për këtë do të mirëpriste çdo propozim për projekte konkrete që mund të paraqiteshin pranë Fondit Egjiptian për Bashkëpunimin Teknik. Kryeministri theksoi se është e një rëndësie parësore rritja e numrit të investimeve private dhe bizneseve egjiptiane, si dhe siguroi se qeveria shqiptare ka krijuar një klimë biznesi shumë tërheqëse dhe të sigurt për investimet e huaja në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›