Rama mbledh aleatët, opozita: Jo kusht sistemi zgjedhor

Ka përfunduar takimi i kreut të PS-së Edi Rama me aleatët e majtë, takim ky i cili zgjati rreth 2 orë e 30 minuta. Ky takim, i pari për vitin 2012 u zhvillua pranë selisë së PS-së, ndërsa morën pjesë lidershipi i PS-së Edi Rama, kreu i PSD-së Skënder Gjinushi, kreu i PDS-së Paskal Milo, kreu i PLD-së Spartak Ngjela, kreu i PSV91 Petro Koçi, kreu i PDK-së Nard Ndoka, sekretari i koalicionit Ndre Legisi si dhe politikani Preç Zogaj, ndërsa mungoi kreu i PBDNJ-it Vangjel Dule.
Pas përfundimit të mbledhjes opozitare, Preç Zogaj në një prononcim për mediat u shpreh se fokusi i bisedimeve ishte reforma zgjedhore dhe parashtrimi i kërkesave të partive të vogla opozitare. Ndër të tjera Zogaj theksoi se opozita nuk do të kushtëzoj reformën zgjedhore, duke treguar kështu një tërheqje të partive opozitare lidhur me kërkesat e tyre, megjithatë ai tha se reforma nuk do të jetë pjesë e një pale dhe se do të ecet me parimin një shqiptar, një votë.
“Ne diskutuam mbi reformën zgjedhore. Reforma duhet të jetë garant për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për një administrim të ri zgjedhor dhe korrekt. Opozita ka publikuar një platformë lidhur me këtë çështje, por patëm diskutime edhe rreth rekomandimeve të OSBE. Megjithatë theksojmë se opozita nuk do të kushtëzoj reformën zgjedhore”- u shpreh Zogaj.
Sa i përket zgjedhjeve presidenciale, ai deklaroi se nuk ishin pjesë e bisedimeve, ndërsa shtoi se u diskutua rreth programit të PS-së dhe kontributit të partive opozitare në prezantimin e tij tek qytetarët.