Rama mbledh gjysmë – opozitën, e majta nis 2012-ën e përçarë

Debate të ashpra mes Ramës dhe Gjinushit e Milos. Akuzojnë të vegjëlit: PS, tendencioze në komisionin e reformës zgjedhore – kërkon të largojë nga skena politike partitë e vogla
UPDATE- Duket se s’ka asnjë shpresë më për unifikimin e opozitës, ndërsa debatet e lindura sa i takon pretendimeve të të vegjëlve për Kodin Zgjedhor, kanë thelluar dhe më tepër çarjen mes të majtës. Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama thërriti sot në një takim aleatët e koalicionit të majtë, me qëllimin arritjen e një akordi opozitar dhe shmangien e krijimit të “polit të majtë politik”, i paralajmëruar ky nga dy krerët e partive kryesore të opozitës, Paskal Milo i PDS dhe Skënder Gjinushi i PSD. Gjithçka ka si pretekst shmangien e të vegjlëve nga diskutimet për reformën zgjedhore, aq më tepër kur karakteri politik i lidershipit opozitar është ai i vetmisë dhe zhdukjes së aleancave. Në këtë sens, Rama ka tentuar sot të bindë të vegjëlit në tryezën e opozitës (pa Vangjel Dulen e PBDNJ-së), me argumente sa qesharake dhe ironike se, reforma zgjedhore është prioriteti kryesor i “opozitës së bashkuar”, ndërsa alarmit të Milos dhe Gjinushit se PS po bën reformën me “kokë të saj”, Rama i ka vënë nofkën “shqetësim i kotë”, pasi sido që të jetë, reforma në Kodin Zgjedhor do bëhet edhe pa miratimin e të vegjëlve. Ky është takimi i parë i kreut të opozitës për vitin 2012 me aleatët, i cili ka nisur si mos më keq, ku vërehen ndasitë konkrete mes të vegjëlve dhe PS-së. Aleatët e PS kanë të ngurtësuar në mendje reformën në ligjin elektoral të vitit 2008, ku Rama u akuzua se zgjodhi sistemin proporcional – rajonal për të zhdukur nga skena politike partitë e vogla. Kjo u faktua vetëm një vit më pas, pasi në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009-ë, PS doli para shqiptarëve me një koalicion të cunguar, pa LSI-në dhe një pjesë të mirë të spektrit të majtë. Në takimin e zhvilluar sot, morën pjesë kreu i PSD-së Skënder Gjinushi, kreu i PDS-së Paskal Milo, kreu i PLD-së Spartak Ngjela, kreu i PDK-së Nard Ndoka, kreu i PSV91 Petro Koçi si dhe politikani Preç Zogaj. Në këtë takim mungoi kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili përfaqëson forcën e vetme politike të koalicionit të PS, që ka një zë deputeti në Kuvend.
...