Pesë deputetët e PS-së takohen në Durrës, kritika të ashpra Ramës
Pesë deputetët, përfaqësues dhe drejtues të Lëvizjes për Mendim Ndryshe brenda Partisë Socialiste, kanë zhvilluar dje një takim me anëtarësinë socialiste të qytetit të Durrësit. Deputetët Ben Blushi, Arben Malaj, Andis Harasani, Marko Bello dhe Kastriot Islami kanë bërë kritika të ashpra në drejtim të kreut në detyrë të PS-së, Edi Rama. Deputeti Marko Bello e cilësoi tejet qesharake dhe farsë procesin zgjedhor të 26 shtatorit për kreun e Partisë Socialiste. Ndërkohë, deputeti Islami ka kritikuar ashpër vendimin e Partisë Socialiste për të bojkotuar Kuvendin. Islami tha se PS-ja ka humbur frymën perëndimore dhe po vuan nga kriza e identitetit. Ndërkaq, deputeti Arben Malaj tha se Edi Rama, duke imponuar bojkotin, po e detyron Partinë Socialiste që të vetizolohet. “Partia Socialiste është dhe duhet të jetë politika e shpresës dhe jo e inspiratave të bojkotit”, - u shpreh Malaj.
Deputeti dhe anëtari i Kryesisë së PS-së, Ben Blushi, e akuzoi Edi Ramën se po përpiqet të ndërtojë disa aleanca qesharake dhe aspak ideologjike, duke iu referuar tratativave që Rama ka zhvilluar me Ngjelën dhe Ndokën. “Si mund të kërkohet bashkim dhe bashkëpunim me partitë e së djathtës, kur Rama nuk bashkon partinë e tij?” - tha Blushi. Ai theksoi se Ngjela është ai politikan që në zgjedhjet lokale të 2003-shit ka kërkuar hapjen e kutive të votimit në Tiranë, ashtu siç kërkon Edi Rama sot hapjen e kutive. Deputeti socialist theksoi se mbështet idenë e hapjes së kutive të votimit, por se kjo duhet të ndodhë në Kuvend, dhe jo jashtë tij. “Rama dhe gjithë socialistët e tjerë kanë të drejtë të kërkojnë hapjen e kutive të votimit, por në Parlament”, - vijoi ai. Sipas Blushit, bojkoti i Kuvendit po zvogëlon dhe po humbet raportet e Partisë Socialiste me shqiptarët.
25 Shtator 2009