Zbulohet mashtrimi, viza false për 3 mijë euro
TIRANE - Një oficer i forcave speciale i repartit RESI përfundoi dje në pranga pasi dyshohet se mashtronte qytetarët për t'i pajisur me viza shengen false kundrejt shumës 3 mijë euro. Bashkë me oficerin u arrestua edhe një 54-vjeçar nga Tirana, i cili në bashkëpunim me një person të shpallur në kërkim, akuzohet se ka falsifikuar dokumentet e nevojshme të shtetasve për t'u pajisur me vizë. Personi i katërt i implikuar në këtë skemë falsifikimesh e mashtrimi, procedohet në gjendje të lirë, me akuzën se u kishte siguruar të arrestuarve ambientet ku kryhej falsifikimi i dokumenteve, në një apartament në rrugën "Irfan Tomini", në kryeqytet. Sipas policisë, personat e interesuar për t'u pajisur me vizë, në mënyrë që të kalonin kufirin shqiptar, duhej të dorëzonin tek të arrestuarit vetëm një pasaportë dhe shumën 3 mijë euro. Përveç pasaportës, e cila dorëzohej e rregullt, çdo dokument tjetër që duhej për pajisjen me vizë shengen falsifikohej nga personat e arrestuar. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se të arrestuarit janë, oficeri i policisë Shkurt Toma, 41 vjeç dhe Agron Hoxha, 54 vjeç. Policia tha se po procedohet penalisht në gjendje të lirë 53-vjeçari Romeo Bici kurse është shpallur në kërkim një person me iniciale L.K., i cili dyshohet se është drejtuesi i rrjetit të falsifikatorëve. Sipas Drejtorisë së Policisë së Tiranës, hetimet për zbulimin e rrjetit që falsifikonte viza shengen dhe karta identiteti të shteteve të huaja, kanë nisur në muajin shkurt të këtij viti. Në këtë kohë, policia konstatoi një person që po tentonte të kalonte kufirin me një vizë false. Pas mbledhjes së informacioneve të para mbi grupin, vëzhgimi i veprimtarisë së personave të implikuar është kryer nga oficerët e Seksionit të Antikrimit Ekonomik dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Policia tha se gjatë hetimit, është provuar plotësisht pajisja me vizë shengen false, e tre personave, ndërsa ka dyshime se mund të ketë edhe raste të tjera, që ende nuk janë dokumentuar nga policia. Njëri prej të arrestuarve, Agron Hoxha, akuzohet për "falsifikim të dokumenteve", "falsifikim të akteve të gjendjes civile" dhe "dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm kufiri", në bashkëpunim. Oficeri i RESI-t, akuzohet për "mashtrim", pasi ndërmjetësonte me qytetarët duke u premtuar viza të rregullta.
Institucionet
TE AKUZUAR
1. Shkurt Toma, 41 vjeç, punonjës policie në Repartin Special RESI, i arrestuar
2. Agron Hoxha , 54 vjeç, i arrestuar
3. Romeo Bici, 53 vjeç, hetim në gjendje të lirë
4. L.K., i shpallur në kërkim
SEKUESTRUAR
• Shuma prej 3 mijë euro
• 3 dëftesa të shkollës së mesme
• 2 pasaporta
• 2 vula të falsifikuara