E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama me hundën në qiell, kërkon qiqra në hell

Kush sajon “kauza” për qëllime meskine, detyrohet t’i mbrojë ato deri në vetëshkatërrim. Komunizmi u shemb duke u mburrur madjé deri në agoninë e tij. Ndonëse Edvin Rama e di që i ka humbur zgjedhjet, ka nisur të krekoset se i ka fituar ato. Populli thotë që, nëse duam ta mallkojmë një njerí, mjafton t’i themi: “Të hyftë vetja në qejf!”. Sa më pak vlera të ketë një udhëheqës, aq më lehtë beson ai se është i pazevendësueshëm. Kur i paafti dështon, tërbohet. Vetëm drejtuesit me vlera e përballojnë me dinjitet humbjen. Ata që nuk mposhtin dot veten, shtypin të tjerët. Logjika e dhunës nuk bashkëjeton me tolerancën. Ai që është edukuar të sundojë pa kundërshtarë, tenton të mbijetojë duke sharë kundërshtarin. Ndoshta prandaj Rama mendon se vullnetet e lira garantohen me “kobure prapa kokës”. Si paranojak, nuk mundet t’i mendojë pasojat negative të veprimeve të tij të papërgjegjshme. Si gjithë tiranët Rama nuk mund të jetë veçse një shpirtvogël. Për të janë të huaja vlerat morale. Ai nuk e çmon aftësínë për të mposhtur ambiciet meskine. Nuk e vlerëson tolerancën dhe misionin vizionar. Prandaj popujt e kulturuar vënë në krye të tyre njerëz fisnikë. Egoizmave të sëmura humbja u vjen gjithmonë nga vetja. Kush i ka mashtruar njerëzit një herë, nuk duhet të ngulë këmbë t’i bëjë ata vazhdimisht pjesë të gabimit të vet. Edhe komunizmi besoi se njerëzit mund të flijoheshin për të. Kurse ndodhi e kundërta. Se, sa më shumë të sakrifikohen njerëzit për një lider aveturier, aq më të rrezikshëm bëhen ata për të. Nuk ecet në demokrací me frymëra armiqësore. Thjeshtësía është pjesë e madhështisë. “Kauzat” e shenjta nuk pajtohen me gjuhën e dhunës. Ta shpallësh veten fitimtar, pasi ke pranuar legjitimitetin e fitores së kundërshtarit, është hipokrizi groteske dhe paturpësi vetëdemaskuese. Kur të gjithë të këshillojnë t’i ngresh kontestimet në Kuvend, nuk duhet të ngulësh këmbë në gjuhën e rrugës. Nuk luftohet për përsosjen e lirísë me metoda dhune. Nuk realizohen aspiratat e shenjta me shantazhe dhe kërcënime. Të hyjnizosh lirínë e votës është sublime. Por, të kërkosh “mosbindje civile” për të bërë populli si don ti, edhe pa dashje ke anuar nga diktatura. Sikur gjithë të mundurit e zgjedhjeve të ngrinin njerëzit në rebelíme, do të shkatërronin virtytet e demokracisë! Sharlatanët e mbrojnë një “kauzë” duke e shpurë idenë e saj në ekstremin ideal. A nuk polli utopia “hyjnore” e komunizmit vetëm urí, terror dhe gësheshtër?!

Kërkesat e Ramës i kujtojnë gjithkujt ato të Enver Hoxhës. Edhe ai i premtoi popullit parajsën dhe ndërtoi ferrin. Dhe, kur klithmat e tij për lumturínë kolektive dështuan, u vuri njerëzve “kopaçen”, për t’i kënaqur ata vetëm me idenë se e keqja s’kishte fund ! Dhe i detyroi të gjorët njerëz që t’i thoshin edhe derrit dajë; të duartrokisnin mjerimin e tyre dhe të mallkonin njëri-tjetrin. Ishte ky despot që depersonalizoi njeriun në emër të dinjitetit kolektiv. Qenë fjalimet e tij “patetike”, të mbushura me shqetësime hipokrite për të ardhmen e ndritur, për mirëqënien dhe krenarinë, që i bënë shqiptarët t’i trembeshin edhe një fjaleje të tyre ndaj realitetit të zí që përjetonin. Dhe Enver Hoxhës as që i bëhej vonë që e tëra kjo ishte një tallje me kombin e vet. Mjafton që “utopia e tij kriminale” të lëvizte përpara nga lufta mizore e klasave. Ndërkohë katili përlotej nga kënaqësía, tek i shihte njerëzit e uritur të kërcenin nga gëzimi, që u prodhonte shpresa se kështu mund t’i shpëtonin pasigurisë për të nesërmen (!).

Edvin Rama ka të njëjtin stil pune, që i buron nga i njëjti mentalitet; të njëjtën metodë angazhimi kolektiv për shembjen e çdo demokracie, e cila mbështetet mbi institucionet, mbi ligjin, mbi rregullat e aprovuara bashkërisht. Zoti na ruajt sikur në Shqipërí të kishte vërtet njerëz, që t’u besonin sinqerisht fjalëve të tij ! Sikur vërtet nga një shumicë të pranohej se, vetëm kur të lejonte Rama, të mund të ngjitej në pushtet një tjetër forcë politike. Mjerë, mjerë, sikur populli të pajtohej vërtet me thirrje të tilla, të çmendura të këtij skizofreni enverist, i cili, duke gërmuar në kanalet e “ujrave të zeza” të komunizmit ka gjetur atje mjetet, me të cilat guxon sot t’u bëjë thirrje njerëzve të ngrihen e të mos pyesin as për rregull, as për institucione, as për Kushtetutë, as për shtet ligjor, e tj. Shkurt, Rama kërkon të mbetet kryetar i P.S.-së duke likuiduar idenë se është mundur nga vota e shumicës së popullit. Por, të mos i zbulohen qëllimet egoiste, shpalli sikur e njihte pushtetin e dalë prej zgjedhjeve legjitime. Dhe është po ky Ramë që lëshon sot shpifje monstruoze dhe mallkime të turpshme, me shpresë që ta detyrojë mazhorancën të largohet nga pushteti (!). Ec e besoji këtij njeriu me dy fytyra se ç’kërkon të bëjë, kur Shqipërisë i duhet konsensus, stabilitet politik dhe trasparencë !...

Enver Hoxha të kërkonte “haraç” pse të linte gjallë. Edvin Rama kërkon t’i edukojë komisionerët e ardhshëm të zgjedhjeve me logjikën e frikës së “kamzhikut”, të “armikut” të partisë e të shtetit, të sabotatorit, të të korruptuarit, të tradhëtarit, e tj. Vetëm me një Shqipërí të terrorizuar mund t’u arritka, sipas tij, realizimi i lirisë së votës.(!) Vetëm me tufa frikacakësh mund të dalkan në krye të shtetit njerëz të bindur, të cilët të mund të njohin si Perëndi vetëm Edvin Ramën me shokë!...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›