E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama me kandidatët në Elbasan: Koha e Berishës ka perënduar

Ndryshe nga demokratët që zgjodhën sheshin e "Bezistanit" për mitingun elektoral, socialistët e Qarkut të Elbasanit, kanë zgjedhur dje sheshin para stadiumit "Ruzhdi Bizhuta" për të njëjtin tubim. Turma pjesëmarrëse është shtrirë deri në hyrje të bulevardit "Qemal Stafa", ku kanë rënë në sy alternimi i brezave, por më së shumti, të rinj dhe të reja që do të këndonin në kor edhe "himnin" elektoral të PS-së. Sakaq, kreu i bashkisë, Qazim Sejdini, që hapi mitingun uroi, Elbasanin dhe gjithë Shqipërinë me Ramën Kryeministër. Kandidatët për deputetë të kësaj partie, përfaqësues nga të katër rrethet e prefekturës, kanë folur secili në mënyrën e vet jo më tepër se një pasazh, teksa e përbashkëta e tyre ishte promovimi i Ramës në krye të qeverisë së ardhshme. "Edi Rama hyri në politikë si njeri i ndryshimit dhe këtë e bëri me kryeqytetin. Edi Rama hyri në PS si njeri i erës së ndryshimit dhe këtë e bëri me të gjithë socialistët, këtë do ta bëjë edhe si kryeministër më 28 qershor, për të bërë këtë vend ashtu siç kemi zili kur shohim Tiranën", deklaroi Valentina Leskaj, drejtuese e fushatës elektorale të PS-së për Elbasanin dhe e para në listën e deputetëve të kësaj partie. Ajo konstatoi se vota e Elbasanit do të dërgojë në Parlament nëntë deputetë, duke glorifikuar si "trajnerë" dhe drejtues Ramën në Tiranë dhe Sejdinin në Elbasan. "Le ta dijë mirë Berisha se elbasanasit me kulturë e tolerancë nuk do të tregohen këtë herë ‘tolerantë‘ për t‘i dhënë pushtet Sali Berishës", nënvizoi kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama në fjalën e tij. Sipas tij, Elbasani dhe e gjithë Shqipëria ishte lodhur nga tranzicioni i gjatë, ishte i lodhur nga premtimet e pambajtura, por është optimist me politikën e re të ndryshimit për të gjithë shqiptarët që do të sillte fitorja e PS dhe bashkimit për ndryshim. "Berisha dhe të tjerë, boll e mbajtën këtë vend për 18 vjet si peng të premtimeve dhe mashtrimeve", vijoi Rama, duke shtuar se "Shqipërisë, që Berisha bërtet për liberalizim vizash, fatkeqësisht i janë mbyllur dyert dhe këtë e tregoi dhe vendimi i fundit i grupit të diskutimeve për Ballkanin dhe aq më keq akoma kur një Serbi e izoluar, merr dritën jeshile për liberalizim vizash". Rama premtoi solemnisht se liria e lëvizjes së shqiptarëve, liria e lëvizjes së emigrantëve shqiptarë kudo në botë që nuk shohin dot prindërit dhe fëmijët e tyre në Shqipëri, do të arrihet në vitin e parë të mandatit të qeverisë socialistë. "Dialogu me Shqipërinë që më ka bërë të prek çdo pëllëmbë të tokës sime, nuk ishte gjë tjetër vetëm një shëmbëlltyrë konkrete se si do të punojë qeveria e ardhshme me bazë socialiste dhe kjo qeveri do t‘i ketë ‘zyrat‘ në popull dhe jo në kryeqytet", nënvizoi kreu socialist. Sipas tij, nuk do të ketë më "vija të verdha" qytetesh, por një komitet të posaçëm, që jo vetëm do të vazhdojë legalizimet dhe tapitë e pronave të tyre, por do të punojë për urbanizimin e rrethinave dhe periferive, për t‘i bërë ato pjesë integrale të qyteteve përkatëse. "Turp për të gjitha qeveritë që kanë abuzuar me votat e fshatit, do të jetë përgjegjësi dhe nder për ne që ta shohim fshatin më tërë përgjegjësitë e qeverisjes duke planifikuar zhvillimin intensiv dhe ekstensiv të kësaj pjese për të cilën ky vend ka aq nevojë", theksoi Rama. Ai shtoi se "ka ikur koha e babëzisë dhe biznesit familjar dhe oborrtarëve të Berishës, ka ikur koha e demagogjisë së luftës kundër korrupsionit, ka perënduar koha për Berishën si drejtues qeverie dhe politikan". Gjatë mitingut nuk është shënuar asnjë incident, përpos punës korrekte të policisë për mbarëvajtjen e këtij takimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›