E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vota evropiane dhe apatia e evropianëve

Fushata zgjedhore për Parlamentin Evropian nuk i përket kësaj bote. Me kuptimin e plotë të fjalës. Astronauti belg, Frank de Vine, ka dërguar një mesazh nga kozmosi, ku u bën thirrje të gjithë evropianëve të votojnë në zgjedhjet e kësaj jave për Parlamentin Evropian. "Do të votoj përmes mekanizmit të autorizimit të votës, kështu që nuk do t‘i humbas zgjedhjet evropiane, ndërsa gjendem këtu lart", tha nga Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar në një video të transmetuar të mërkurën, duke shtuar me bindje disi jo të plotë: "Evropa duket e bashkuar që këtu".

Kjo lutje nga kozmosi është veç një pjesë e ofensivës mediatike e ndërmarrë nga zyra e shtypit të Parlamentit Evropian për të nxitur zgjedhësit t‘u drejtohen kutive të votimit gjatë këtyre zgjedhjeve që po mbahen nga 4 në 7 qershor.

Rrjetet sociale si "Twitter" dhe "Facebook", apo siti i videove "YouTube" janë bombarduar me mesazhe që promovojnë zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Yjet e futbollit Oliver Kan, David Vija, Luis Figo janë rekrutuar për të nxitur tifozët e futbollit t‘u drejtohen kutive të votimit. E, megjithatë, situata duket mjaft e vakët.

Ndërkohë që bëhet fjalë për ushtrimin më të madh të demokracisë transnacionale në nivel global. Rreth 375 milionë zgjedhës nga 27 vende kanë të drejtën të votojnë për institucionin e vetëm evropian që zgjidhet drejtpërsëdrejti nga populli. Dy institucionet e tjera janë Komisioni Evropian dhe Këshilli i Ministrave, ku secila prej qeverive gëzon të drejta të njëjta fjale.

I konsideruar si një forum i kotë, ku veç flitej, Parlamenti Evropian është aktualisht një trup me pushtet gjithnjë e në rritje - ose "kompetenca", për ta thënë në fjalorin e BE-së, me dy të tretat e pushtetit legjislativ në bllokun prej 27 vendeve. 736 anëtarët e Parlamentit Evropian kanë në dorë kontrollin e buxhetit gjigant të BE-së, prej më shumë se 116 miliardë eurosh dhe kanë zë të barabartë në Këshillin e Ministrave mbi më shumë se 70 për qind të ligjeve të Bashkimit Evropian. Si rrjedhojë, kanë në dorë të drejtën për të shkarkuar të gjithë komisionin, apo të vënë veto mbi secilin prej anëtarëve të tij, gjë që Parlamenti e bëri në vitin 2004, kur hodhi poshtë kandidaturën e italianit Roko Butilione, për shkak të këndvështrimeve të tij problematike me gratë dhe homoseksualët.

Nëse Traktati i Lisbonës - një marrëveshje për të kontrolluar procesin e vendimmarrjes në BE - më në fund do të ratifikohet pas një referendumi të dytë në Irlandë, Parlamenti do të ketë edhe më shumë muskuj për të treguar. Do gëzojë më shumë të drejta në paracaktimin e zërave të buxhetit, do të ketë të drejtën e të qenit pjesë në vendimmarrje mbi thuajse të gjitha ligjet e Bashkimit Evropian, si dhe të drejtën për të përcaktuar diplomatin më të lartë të bllokut prej 27 vendesh.

Gjatë legjislaturës së ardhshme pritet që Parlamenti Evropian të rrisë influencën mbi një seri çështjesh të vendimmarrjes së Bashkimit Evropian, përfshi tregtinë, shërbimet financiare, ndryshimet klimaterike, sigurinë energjetike, transportin, mbrojtjen e konsumatorit dhe emigracionin.

E, megjithatë, kjo rritje e pushtetit të Parlamentit nuk reflektohet në përpjesëtim të drejtë tek elektorati. Një sondazh i "Eurobarometer", i publikuar në prill, zbuloi se vetëm 34 për qind e qytetarëve të Bashkimit Evropian kishin ndër mend të votonin kësaj jave. Megjithëse një sondazh i mëvonshëm tregoi se kjo shifër ishte rritur në 43 për qind, pakkush shpresonte se zgjedhësit do të vërshonin në masë drejt kutive të votimit. Në fakt, zgjedhjet e kësaj jave mund të regjistrojnë nivelin më të ulët të pjesëmarrjes që prej votimeve të para të BE-së, të mbajtura para 30 vjetësh, duke u ulur edhe më tej nga 45 përqindëshi i vitit 2004.

Gaetan Rikard Nihul, sekretari i përgjithshëm i "Notre Europe", një think tank me qendër në Paris, pranon "paradoksin e madh të uljes së numrit të votuesve, në një çast kur Parlamenti Evropian po zgjeron në masë të madhe fuqinë".

Ku fshihet problemi? Duhen fajësuar liderët kombëtarë dhe partitë, për faktin se nuk kanë ditur të kuptojnë forcën e vërtetë të Parlamentit Evropian? A mos duhet fajësuar media, e cila nuk i ka kushtuar hapësirat e duhura nëpër faqet e gazetave apo edicioneve informative? Mos fshihet problemi te mënyra se si janë organizuar zgjedhjet? Apo fshihet te vetë Parlamenti, me varësinë e fortë ndaj konsensusit dhe pozicionimin larg konflikteve?

Sigurisht, arsyeja më e dukshme ka të bëjë me faktin se pavarësisht kujt ia japin zgjedhësit votën, nga rezultati nuk do të përcaktohet ndonjë "qeveri e re e BE-së", siç ndodh në të gjitha zgjedhjet normale. Nuk është Parlamenti ai që përcakton Komisionin Evropian. Kështu që pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, asnjë prej komisionerëve nuk do të shfaqet para ekraneve të televizorëve me shpresën për të grumbulluar sa më shumë vota për të siguruar mbijetesën politike. Martin Shulc, europarlamentari gjerman, i cili drejton grupin e socialistëve në Parlament, e kritikon këtë situatë. "Rezultati i zgjedhjeve duhet të përcaktojë përbërjen e komisionit", tha në një intervistë të dhënë së fundmi për revistën "Der Spiegel". "Ndarja e pushteteve, të cilët e njohim aq mirë në secilin prej shteteve, këtu as që ekziston".

Parlamenti Evropian është i padukshëm

Një tjetër faktor që i mban larg votuesit mund të jetë mungesa e së drejtës së Parlamentit Evropian për të thënë fjalën e vet, në situatën e krizës aktuale ekonomike - taksa e shpenzimeve, shëndetësi e edukim. Kjo bën që një pjesë e mirë e jetës së qytetarëve evropianë të mbetet jashtë interesit të zgjedhjeve.

"Aty nuk ndërmerren zgjidhje, nuk ka asnjë peshë të dukshme", vëren Mark Frenklin, profesor i politikave krahasuese në Institutin Universitar Evropian, në Firence të Italisë. "E përse duhet të votojnë njerëzit? Përse u dashka që dikush të shpenzojë 15 minuta kohë për diçka që në dukje nuk ka asnjë qëllim"? - tha në një intervistë për "Der Spiegel". Frenklin nënvizon se Parlamenti Evropian, në synimet dhe qëllimet e veta mbetet "i padukshëm".

Kjo padukshmëri bën që zgjedhjet të bëhen "të dorës së dytë", në të cilat ndodh rëndom që zgjedhësit vendosin të mos votojnë fare, të votojnë për ekstremistë që nuk do t‘i mbështesnin kurrë nëpër zgjedhje kombëtare, apo të sanksionojnë qeveritë me popullaritet të dobët. Në Britani, për shembull, pritet që Partia Laburiste (forca qeverisëse) të humbasë rëndë këtë javë. Partia Kombëtare Britanike e ekstremit të djathtë, mund të fitojë një vend në Parlamentin Evropian. Nga ana tjetër, në Gjermani vota do të konsiderohet si një ndërrim kostumi për zgjedhjet kombëtare që do të mbahen në shtator.

Ndërkaq, padukshmëria është edhe rezultat i mungesës së Parlamentit në pjesën më të madhe të mediave evropiane. Pjesa më e madhe e lajmeve mbi Bashkimin Evropian priret të përqendrohet mbi faktin se si BE-ja prek interesat kombëtare. "Njerëzit shohin veç skenën e politikës kombëtare. Nuk ekziston një skenë politike gjithevropiane".

"Media gjendet brenda një rrethi vicioz"

Për Endrju Daf, europarlamentar britanik, mungesa e një trupi mediatik gjithevropian përbën pjesën më të madhe të këtij problemi. "Shtypi në përgjithësi përqendrohet rreth historive që lindin në Berlin e Paris", thotë për "Der Spiegel". "Korrespondentët e Brukselit e kanë shumë të vështirë të publikojnë artikuj". "Media gjendet brenda një rrethi vicioz", nënvizon edhe Rikard Nihul i "Notre Europe". "Ndërsa merr për të mirëqenë faktin se problemet evropiane janë të mërzitshme për qytetarët" dhe duke vepruar në këtë mënyrë, "kthehet në një pengesë në bashkëveprimin mes Bashkimit Evropian dhe qytetarëve".

Kjo pengesë, madje është edhe e matshme. Suzan Banduçi, politologe në Universitetin Ekseter të Britanisë, ka zhvilluar një sondazh mbi influencën që ka mbulimi mediatik te zgjedhjet evropiane. "Ekziston një lidhje e qartë mes shfaqjes së Parlamentit Evropian në lajme dhe probabiliteti për të votuar", tha në një intervistë për "Der Spiegel". Në vitin 2004, Banduçi kreu një studim mbi dy prej edicioneve informative më popullore në secilin prej shteteve anëtare të BE-së, ku zbuloi variacione shumë të mëdha mes shteteve. Programet në Greqi, Sllovaki, Danimarkë, Austri dhe Maltë e përmendnin Bashkimin Evropian në rreth 20 për qind të kronikave televizive, krahasuar me vetëm 2-3 për qind në Gjermani. Sondazhet e "Eurobarometer" të kryera nën kërkesën e Bashkimit Evropian, kanë treguar në mënyrë të përsëritur se pjesa më e madhe e evropianëve e marrin informacionin përmes ekraneve televizive. Dhe Banduçi tregon se studimet që kreu skuadra e saj në vitet 1999 dhe 2004 "arritën në përfundimin se vendet ku vëmendja e publikut tërhiqet më shumë, mesatarja e votuesve që u drejtohen kutive të votimit, është më e madhe".

Por sigurisht metodat e punës të adaptuara nga Bashkimi Evropian nuk janë aspak të përshtatshme kur vjen fjala për të shkruar një artikull. Pjesa më e madhe e punës së kryer në Strasburg dhe Bruksel është rezultat i konsensusit dhe kompromiseve mes grupeve parlamentare, etnitete që janë në pjesën më të madhe krejt të panjohura për votuesit. Janë rreth shtatë grupet kryesore rreth të cilëve bashkohen një numër i madh deputetësh të Parlamentit Evropian. Problemi është se pavarësisht debatit politik mes tyre, nuk shihet ajo kundërshtia dramatike që ngrenë forcat politike në parlamentet e shteteve.

Rikard Nihul këmbëngul se Parlamenti Evropian duhet t‘i qëndrojë larg përqasjes së përhershme konsensuale, në rast se do që gjërat të funksionojnë vërtet. Ai mendon se grupet e ndryshme të parlamentarëve evropianë duhet të kenë fuqinë të propozojnë kandidatët e tyre për postin e presidentit të komisionit, të cilin aktualisht e mban Hose Manuel Barroso: "Kjo do të shtonte politizimin dhe personalizimin. Njerëzit do të votonin për një parti, e cila mbështet një kandidaturë që u pëlqen për postin e Presidentit".

"Zona zgjedhore transkombëtare"

Edhe Banduçi është e një mendjeje në këtë pikë. Rezultatet e punës së Parlamentit do të ishin shumë më të mira, me pak më shumë fërkime mes palëve. "Kur debatohet fort për diçka, tërheq menjëherë interesin e medias. Më pas e gjitha shkon te qytetarët", thotë politologia. "Zgjedhja e komisionit nga Parlamenti do të ishte një fillim i mirë".

Daf e kundërshton këtë tezë, duke nënvizuar se kjo do ta kthente Bashkimin Evropian në një sistem presidencial dhe jo parlamentar. Në vend të kësaj ai ngul këmbë për shkundjen nga themelet e sistemit elektoral si rruga më e mirë për të gjeneruar interes te qytetarët. Daf, i cili është raportuesi i Parlamentit Evropian mbi reformat elektorale, i ka bërë rekomandimet në këtë kuadër që gjatë vitit të shkuar. "Duam një sistem me zona zgjedhore transkombëtare në të 27 shtetet për të zgjedhur një pjesë të europarlamentarëve", thotë, duke vërejtur se "kjo do na detyronte të adresonim dimensionet e politikave të Bashkimit Evropian".

Për Frenklin, i Institutit Universitar Evropian, një tjetër faktor i distancës mes Evropës dhe votuesve janë qëndrimet që mbajnë qeveritë e shteteve në Bruksel, të cilat janë kokë e këmbë të ndryshme nga ato që mbajnë brenda kufijve të tyre. "Vendimet e vërteta merren në fshehtësi. Nuk dëgjojmë kurrë për atë që thonë ministrat në takime", thotë duke shtuar se kjo "është tërësisht e papranueshme". Ndërkohë që do t‘i pëlqente shumë që këshilli të niste të sillej në atë mënyrë që "asnjë prej ministrave të kthehej në shtëpi, duke u mburrur se u përpoqa për interesat kombëtarë".

Gjithsesi, ndërsa qeveritë e shteteve anëtare i lënë gjithnjë e më shumë pushtet në dorë Brukselit dhe Strasburgut, politikanët kanë interes të shfaqen përpara shtetasve përkatës si vendimmarrësit kyç në politikat e Bashkimit Evropian. "Politikanët nuk duan të krijojnë përshtypjen se nuk janë në qendër të pushtetit", thotë Frenklin. "Mendojnë se mund të premtojnë gjithçka duan, por në fakt pjesa më e madhe e vendimeve merret në Bruksel".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›