E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhufi: Shtyrja e zgjedhjeve, një opsion i rrezikshëm

Zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, deklaroi dje se kjo forcë politike e konsideron shtyrjen e zgjedhjeve një opsion jo të mundshëm madje një opsion të rrezikshëm. Sipas tij, diçka e tillë do të zgjaste dhe do të rëndonte dhe më shumë në problemet ekonomike dhe sociale dhe do të ngarkonte akoma më tutje klimën e ndezur elektorale politike në Shqipëri. Xhufi theksoi se PD-ja duhet të gjejë urgjentisht një zgjidhje për pajisjen e shtetasve me karta identiteti dhe për ta realizuar këtë LSI-ja është e gatshme në gjetjen e zgjidhjes. Lëvizja Socialiste për Integrim i bën thirrje Partisë Demokratike por edhe Partisë Socialiste të ulen së bashku dhe të gjejnë një zgjidhje të përbashkët për situatën e krijuar, zgjidhjen më të mirë të mundshme. Xhufi deklaroi se LSI do të miratojë çdo zgjidhje që do të arrihej për të krijuar pikërisht parakushtet që të gjithë qytetarët shqiptarë të mund të votojnë më 28 qershor. Xhufi nënvizoi sakaq se LSI vazhdimisht ka denoncuar një Kod Elektoral, i cili bëri tentativën për të krijuar një sistem dypartiak në Shqipëri, duke ngushtuar hapësirat demokratike, një tentativë e cila mund ta themi me plot gojën që ka dështuar plotësisht. "Ne, tha Xhufi, kemi denoncuar faktin gjithashtu që të njëjtët persona në qeveri apo opozitë që kanë qenë përgjegjës për cenimin dhe dështimin e zgjedhjeve në vitin 2001 apo në vitin 2005, u ngarkuan nga krerët e partive të tyre për të bërë reformën zgjedhore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›