Simpozium shkencor për botimin e "Atlasit të dialektologjisë të gjuhës shqipe"
"Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe", një nga botimet më të rëndësishme të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë të Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë është bërë dje objekt diskutimi për gjuhëtarët shqiptarë gjatë një simpoziumi shkencor të organizuar në Gjirokastër nga Departamenti i Gjuhësisë dhe Letërsisë pranë Universitetit "Eqrem Çabej" në këtë qytet. Dekani i Fakultetit të Shkencave Shoqërore, Roland Zisi, dhe drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë, Adrian Marashi, në hapje të simpoziumit shprehën mendimet dhe konsideratat e tyre për punën voluminoze shumëvjeçare të gjuhëtarëve shqiptarë për hartimin e kësaj vepre të plotë shkencore me vlera për studimet e mëtejshme të gjuhës shqipe. Prof. dr Jorgji Gjinari në fjalën e tij u ndal në punë parapërgatitore të studiuesve të kësaj fushe që u kurorëzua përfundimisht me botimin e të parit studim të plotë të veprës "Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe", ndërkohë që prof. dr Gjovalin Shkurtaj e cilësoi këtë botim si një vepër madhore të gjuhësisë shqiptare. Mbi disa aspekte morfologjike të rrjetit dialektor të veriut foli në simpoziumin e Gjirokastrës prof. dr Asllan Hamiti i Universitetit Shqiptar të Maqedonisë (USHSH), ndërsa u referua edhe për problemet që lidhen me sintaksën në botimin e atlasit dhe arealet e gegërishtes. Po ashtu pjesë e simpoziumit ishte edhe diskutimi mbi sintaksat e trevave të jugut, si dhe disa probleme të sintaksës dialektore. U fol edhe për variacionet leksikore të botimit, si dhe u dhanë mendime rreth disa variacioneve gramatikore të përemrave në gjeolinguistikë. Gjatë simpoziumit u parashtrua edhe një analizë e shkurtër e variacioneve morfologjike emërore në trevat jugore të vendit. Dekani i Fakultetit të Shkencave Shoqërore në Universitetin e Gjirokastrës, Roland Zisi, tha se "Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe" është një dokument mjaft me vlera për gjuhësinë shqiptare dhe një pikë e rëndësishme referimi kur është fjala për studimin më të plotë të dialektologjisë shqiptare.