Sot, festë karnavalesh në Korçë
Karnavalet e Korçës kthehen sërish me një tjetër festival të përmasave ndërkombëtare. Për të tretin vit radhazi, bashkia e këtij qyteti ka zgjedhur të çelë sezonin turistik me këtë festë të madhe popullore, me kostumet e larmishme, grupet e karnavaleve nga vendi dhe bota dhe fabulat që secila trupë përzgjedh për të qenë pjesë e paradës së madhe që parakalon në shesh para qytetarëve. Në këtë edicion marrin pjesë 500 persona dhe 20 grupe karnavaleske, mes të cilave: Tirana, Fieri, Shkodra, Kavaja etj., si dhe trupa të huaja nga Maqedonia, Sllovenia, Mali i Zi etj. Grupet e karnavaleve do të kalojnë në sheshin para katedrales, bulevardet kryesore të qytetit, për të vijuar më tej me ballot me maska në lokalet e qytetit. Nga ana e bashkisë konfirmohet se këtë vit veç paradës të grupeve synohet edhe përfshirja e banorëve të qytetit në festime, për të kthyer kështu traditën e dikurshme. Kjo traditë konsiderohet si simbol i qytetit dhe çdo vit përzgjidhet si festë për çeljen e sezonit turistik duke tërhequr një numër të madh vizitorësh vendas dhe të huaj drejt qytetit të Korçës. Karnavalet kanë filluar të festohen në Korçë para viteve ‘40, periudhë në të cilën jeta kulturore në këtë qytet ka qenë e larmishme. Karnavalet e Korçës më parë shoqëroheshin me mandolinata, kitara dhe këngë humoristike. E njëjta traditë synohet të kthehet jo vetëm me kostumet e larmishme, por edhe me fabulat që përgatiten nga ana e trupave për interpretim para qytetarëve dhe turistëve të shumtë.