E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama me të rinjtë në Kamzë: 11 maji duhet të jetë fitorja e 10-të me notën 10

TIRANË, 15 prill /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në një takim me të rinjtë në Kamzës u shpreh se sot Evropa nuk është më ajo që ishte deri dje për sa i përket mundësisë që i ofron atyre që ikin nga këtu atje.

“Një pjesë rrinë atje nga kokëfortësia që e kanë hedhur hapin dhe rrinë e provojnë dhe tentojnë. Sot Shqipëria nuk është më ajo që ishte deri dje”, tha ai.

“Unë isha paradite në një kompani me 300 vajza dhe djem të moshës tuaj që punon për Amerikën dhe për Evropën. Një kompani në Selitë që menaxhon 12 porte në SHBA me aplikacion dixhital dhe me inteligjencën artificiale dhe ku paga mesatare është 2500 euro”, u shpreh Rama.

“Pra Shqipëria nuk është Gjermania. Ishim të dytët pas Gjermanisë kur kishim bufin e kënetës që na mbante aq lart. Nuk jemi të dytët pas Gjermanisë, por ama siç tregon realiteti këtu i Kamzës sot krahasimisht me pak vite më parë këtu potenciali është i jashtëzakonshëm, dëshira e madhe. Ambicia, vullneti, puna mund t’i japin secilit mundësinë që të jetë shumë më mirë se kudoqoftë që të imagjinojë se mund të shkojë”, tha Rama.

“Kini parasysh që BE-ja nuk është vetëm pasaporta. Pasaporta është ajo gjëja direkte individuale që secili merr. Pra nëse thotë dikush ore çfarë marr unë nga BE-ja. Ti personalisht merr një status që asnjëherë shqiptarët nuk e kanë pasur, as prindërit e tu s’ e kanë pasur, as gjyshërit e tu as stërgjyshërit. Ti merr statusin e të qenit i barabartë mes të barabartësh në këtë kontinent. Ti personalisht”, vijoi ai.

Rama u shpreh se me hyrjen në BE Shqipëria fiton më shumë siguri.

“Por përtej kësaj BE-ja çfarë i jep Shqipërisë, çfarë fiton Shqipëria, e gjitha. E para, shumë më tepër siguri. Sot bota nuk është më aq e sigurt sa ç’ishte. Sot lufta nuk është film bardhezi që e shihni nga dokumentarët e vjetër, sot lufta është në kufi me Evropën dhe çështja e sigurisë është më e ndjeshme dhe më e madhe dhe më prioritare se ç’ishte deri dje. Dhe më mirë atje me ta sesa jashtë”, tha Rama.

E dyta, shtoi Rama, “BE-ja do të thotë një mbështetje ekstra për një vend si ne. Kur vendet hyjnë në BE aty janë dy kategori, janë përfituesit janë dhe kontribuuesit. Kontribuuesit janë ata që janë më të fortë, më të zhvilluar, përfituesit janë ata që janë më të vegjël dhe që janë ën zhvillime sipër si ne”.

Rama nënvizoi se, “në këto vite BE-ja neve na ka mbështetur me diçka më shumë se 1 miliard euro nga të cilat 90% kredi. Kredi e butë po kredi, borxh. Me hyrjen në BE ne nga BE-ja marrim çdo vit diçka më shumë se 1 miliard euro dhe 90% është mbështetje solidariteti grant, domethënë e falur. Është një ndryshim i madh”.

Rama foli edhe për programet e BE-së për rininë.

“Mbështetja financiare e BE-së për startup-et e të rinjve, për të rinjtë që janë në fshat, për fëmijët, për të rinjtë që kanë probleme të varfërisë në familje e kështu me radhë është e jashtëzakonshme”, tha Rama.

Prandaj iu drejtua Rama të rinjve, “mos e merrni këtë proces dhe mos i merrni këto zgjedhje si diçka që thjesht ju duhet të bëni detyrën dhe të shkoni të votoni. Të gjithë përpiquni të bëni pak më shumë se kaq dhe mos shkoni vetëm, por të merrni të paktën dhe një tjetër që sot, tani që flasim nuk e ka ndarë mendjen. Të paktën dhe një tjetër”.

Rama tha se, këtë herë fitorja duhet të jetë edhe më e madhe se fitoret e tjera.

“Këtë herë ne duhet të nxjerrim nga lumi i 11 majit një rezultat që është më i miri i të gjitha rezultateve të PS-së dhe kemi fituar 9 herë, kjo duhet të jetë fitorja e 10-të me notën 10”, tha Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›