E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet 2009/2011, roli “përcaktues” i LSI-së

Kastriot Islami

Kjo nuk është ende një analizë, por një “fotografi” nga zgjedhjet e përgjithshme 2009, e formatuar sipas klasifikimit i) rezultate në Shkallë Vendi, (ii) rezultate në zonat urbane, e formatuar sipas “kriterit të bashkive kryesore dhe (iii) rezultate në zonat rurale (komunat plus bashkitë e vogla). Kryesore janë quajtur të gjithë ato bashki që përputhen me një ZAZ (këto janë afërisht edhe bashkitë më kryesore në këndvështrimin e madhësisë elektorale). Bashkitë kryesore gjithashtu, janë njëkohësisht edhe qytetet kryesore të vendit dhe bashki-qendra të qarkut (përveç Lushnjës). Nëntë bashkitë kryesore sipas këtij kriteri janë: 1. Tirana (249172 votues), 2. Durrësi (63703 votues), 3. Elbasani (45353 votues), 4. Vlora (43187 votues), 5. Shkodra (40410 votues), 6. Korça (32434 votues), 7. Fieri (31289 votues), 8. Berati (21996 votues) dhe 9. Lushnja (19741 votues). Bashkitë e vogla janë konsideruar të gjitha të tjerat. Nga të dhënat për numrin e votave të vlefshme rezulton se në zonën urbane kanë votuar 36 për qind e votuesve, kurse në zonën rurale 64 për qind e tyre. Të gjithë kombinimet e bëra të koalicioneve janë veçse “modele simulimesh” për efekte analize përfundimesh dhe projeksionesh cilësore, por që njëkohësisht japin një pamje të pranueshme për tendencat sasiore. Në shkallë vendi kanë marrë pjesë 1519176 votues. Në zonën urbane kanë marrë pjesë 547285 votues. Në zonën rurale kanë marrë pjesë 971891 votues.
Koalicioni APN, i
drejtuar nga PD…
Në shkallë vendi, APN (PD) ka grumbulluar 712745 vota, ose 46.9 për qind të tyre. Në zonën urbane, APN ka grumbulluar 243428 ose 44.5 për qind të votave dhe në zonën rurale, APN ka grumbulluar 469317 vota ose 48.3 për qind. Ky koalicion është në vend të parë në shkallë vendi dhe në zonën rurale. është në vend të dytë në zonën urbane (shih më poshtë diferencat në vota e përqindje).
Koalicioni BPN,
i drejtuar nga PSSH…
Në shkallë vendi, BPN(PS) ka grumbulluar 688748 vota, ose 45.3 për qind të tyre. Në zonën urbane, BPN ka grumbulluar 261912 ose 47.9 për qind të votave dhe në zonën rurale, BPN ka grumbulluar 426836 vota ose 43.9 për qind. Ky koalicion është në vend të parë vetëm në zonën urbane dhe është në vend të dytë në shkallë vendi e në zonën rurale (shih më poshtë diferencat në vota e përqindje).
Koalicioni ASI, i
drejtuar nga LSI…
Në shkallë vendi, ASI (LSI) ka grumbulluar 84407 vota, ose 5.6 për qind të tyre. Në zonën urbane ASI ka grumbulluar 30390 ose 5.6 për qind të votave, ndërsa në zonën rurale ka grumbulluar 54017 vota ose 5.6 për qind. Ky koalicion është në vend të tretë dhe ka të njëjtën peshë elektorale prej 5.6 për qind të votave në shkallë vendi, zonën urbane dhe atë rurale dhe ka rol vendimtar në përcaktimin e maxhorancës (fituese/qeverisëse) në zgjedhjet e vitit 2009 (siç rezultoi), por duket të ketë edhe në zgjedhjet e 2011-ës, nëse i referohemi analizës së këtyre rezultateve (natyrisht realiteti elektoral më kompleks mbetet të analizohet në dinamikë dhe në varësi të shumë parametrave të tjerë).
Diferencat APN-BPN, majtë-djathtë dhe Qeveri-opozitë…
Për të pasur një ide mbi raportin elektoral midis koalicionit APN të drejtuar nga PD dhe BPN të drejtuar nga PS, është shqyrtuar diferenca e votave APN-BPN. Kurse për të krijuar një ide mbi rolin e koalicionit ASI, të drejtuar nga LSI, janë ndërtuar dy kombinime aritmetike i) koalicioni i majtë si bashkim i votave të BPN (PS) me ASI (LSI) dhe ii) koalicioni i Qeverisë si bashkim i votave të APN (PD) me ASI(LSI). Më tej, për të pasur një ide mbi raportin elektoral midis të majtës dhe të djathtës apo midis Qeverisë dhe opozitës janë shqyrtuar diferencat e votave majtë-djathtë dhe Qeveri-opozitë. Krahasimi i këtyre dy diferencave ndihmon në nxjerrjen e përfundimeve për rolin e ASI (LSI).
Diferenca APN-BPN. APN (PD) është në avantazh ndaj BPN (PS) në shkallë vendi me 23997 vota, ose me 1.6 për qind të tyre dhe në zonën rurale me 42481 vota, ose me 4.4 për qind të tyre. Kurse BPN (PS) është në avantazh ndaj APN (PD) në zonë urbane me 18484 vota, ose me 3.4 për qind.
Diferenca e majtë-djathtë. Nëse PS dhe LSI do të merreshin vesh për t’u “bashkuar” në një koalicion të majtë (BPN+ASI), atëherë e majta do të ishte në avantazh kudo, në shkallë vendi, në zonën urbane dhe në zonën rurale. Konkretisht e ajo do të ishte në shkallë vendi në avantazh me 60410 vota ndaj të djathtës (APN), ose me 4 për qind të votave. Në zonën urbane e majta do të ishte në avantazh ndaj të djathtës me 48874 vota, ose 8.9 për qind të votave. Ndërsa në zonën rurale, e majta do të ishte në avantazh ndaj të djathtës me 11536 vota, ose 1.2 për qind të tyre.
Diferenca qeveri-opozitë. Nëse LSI do të bashkohej në koalicion me PD-në, atëherë nga të dhënat që do të formatoheshin, sipas koalicionit Qeveri- (APN+ASI) dhe Opozitë (BPN) do të rezultonte se Qeveria do të ishte në avantazh kudo, në shkallë vendi, në zonën urbane dhe në zonën rurale. Konkretisht, Qeveria do të ishte në shkallë vendi në avantazh me 108404 vota ndaj opozitës, ose me 7.1 për qind. Në zonën urbane Qeveria do të ishte në avantazh ndaj opozitës me 11906 vota, ose 2.2 për qind të tyre. Dhe në zonën rurale Qeveria të ishte në avantazh ndaj të opozitës me 96498 vota, ose 9.9 për qind.
Roli përcaktues i LSI dhe ASI në balancat majtë-djathtë dhe Qeveri-opozitë
Nga krahasimi i diferencave majtë-djathtë dhe Qeveri-opozitë arrihet në përfundimin se, ASI i drejtuar nga LSI ka pasur rol vendimtar në përcaktimin e subjektit elektoral fitues kudo, në shkallë vendi, në zonën urbane dhe në zonën rurale. E majta do të fitonte në çdo nivel vetëm nëse BPN (PSSH) bashkohej me ASI (LSI), madje edhe në shkallë vendi dhe në zonën rurale, ku APN (PD) është në avantazh ndaj BPN (PSSH) rezultati do të përmbysej, nëse PSSH dhe LSI do të realizonin koalicion të përbashkët.
Në rast se ASI (LSI) do të vendoste të bënte koalicion me APN (PD) për të formuar koalicionin qeveritar, atëherë kudo, në shkallë vendi, në zonën urbane dhe në zonën rurale, Qeveria do të ishte në avantazh ndaj opozitës për shkak të rolit vendimtar të ASI (LSI). Madje rezultati do të përmbysej në zonën urbane për shkak të rolit të ASI nga rezultat në favor të BPN, në rezultat në favor të Qeverisë.
Në vend të përfundimit..
Koalicionet APN (PD) dhe BPN (PSSH) kanë një diferencë të vogël midis tyre/ i) në shkallë vendi 1.6 për qind në favor të PD; ii) në zonën urbane 3.4 për qind në favor të PS dhe iii) në zonën rurale 4.4 për qind në favor të PD. ASI (LSI) ka në të tri nivelet 5.6 për qind të votave dhe “andej nga shkon” ASI(LSI) “andej shkon edhe fitorja”. Konkretisht me “bashkimin” PS me LSI, e majta kalon të djathtën në i) shkallë vendi me 4 për qind, ii) në zonën urbane me 8.9 për qind dhe iii) në zonën rurale me 1.2 për qind. Kurse nëse LSI bashkohet me PD, atëherë koalicioni i Qeverisë kalon atë të opozitës i) në shkallë vendi me 7.1 për qind, ii) në zonën rurale me 2.2 për qind dhe iii) në zonën rurale, me 9.9 për qind të votave. Pra, LSI është përcaktuese e koalicionit “fitues” në të tri nivelet (shkallë vendi, zonë urbane, zonë rurale), madje me “impakt” pak më të madh, kur bën koalicion me APN (PD) se sa kur bën me BPN(PS). Në rast se ASI (LSI) do të vendosë të dalë së bashku me APN (PD) në zgjedhjet e ardhshme, atëherë fitorja e APN(PD) (thjesht nisur nga një analizë statike e të dhënave të zgjedhjeve të 2009 dhe një skemë e thjeshtuar për dinamikën e votave të ASI(LSI) do të garantohej i) në shkallë kombëtare edhe sikur ASI(LSI) të merrte zero vota, ii) në zonën rurale edhe sikur ASI(LSI) të merrte zero vota dhe iii) në zonën urbane sikur ASI(LSI) të reduktohej nga 30390 vota në 18484 vota ose nga 5.6 për qind në 3.4 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›