E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama mesazh urimi për gratë: Sot dita për të reflektuar

TIRANE - Kreu i Partisë Socialiste ka uruar gratë dhe vajzat shqiptare me rastin e 8 marsit. Mesazhi i urimit është publikuar në faqen e tij zyrtare në internet, shoqeruar me një imazh të shkëputur nga koreografia e Angjelin Preljocajt (koreograf dhe balerin francez me origjinë shqiptare).

Në mesazhin e tij Rama thekson: “Në këtë 8 mars është dita për të reflektuar për sa shumë ende duhet bërë që gratë dhe vajzat në Shqipëri të kenë liri e të drejta të barabarta me ato që gëzojnë simotrat e tyre në botën e lirë. Që gratë dhe vajzat në Shqipëri të mos diskriminohen e mbeten pas, të mos vuajnë dhunën në familje e papunësinë që ndër gratë është edhe më e përhapur se ndër burrat, të mos bien viktimë e paragjykimeve apo e ringjalljes në plot zona të vendit të një sjelljeje izoluese ndaj tyre. Që gratë dhe vajzat në Shqipëri të mos mungojnë si sot, jo për faj të tyre, në rolin e patjetërsueshëm që natyra e liria u ka përcaktuar për ekuilibrat e sotëm shoqërorë të vendit. Nëse do t’ua mundësojmë që ta luajnë këtë rol s’ka pikë dyshimi se Shqipëria do të bëhet shumë më e fortë politikisht dhe ekonomikisht.”- përfundon mesazhi i kryesocialistit.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›