Rama mirëpret tryezën: Nesër në Strasburg për konsultime
Megjithëse, kreu socialist ka theksuar se kërkesa për hapjen e kutive është një kusht i pa tjetërsueshëm. “Hapja e kutive është një kusht i pa tjetërsueshëm për të pasur një hetim të plotë dhe për të garantuar një transparencë për të gjithë procesin zgjedhor, nëpërmjet Kushtetutës dhe Ligjit, për të garantuar procesin zgjedhor. Ne duam të hapim kutitë për të hetuar procesin dhe përmes hetimit të krijojmë të gjithë kuadrin kushtetues. Jo rinumërim për rishpërndarje mandatesh në tavolinë, por rinumërim të atij procesi të konsideruar si i keq dhe shumë i keq në një të tretën e tij”, tha Rama para pak momentesh. Kryesocialisti shtoi se gjatë ditës së mërkurë do të udhëtojë për në Strasburg, ku do të zhvillojë takime me ata që Rama i quajti “miqtë”e Partisë Socialiste, atje. Sipas Ramës, përveç këshillimeve që do të merren në Strasburg, PS do të ketë edhe komunikim me aleatët, “tanë jo vetëm për tryezën e dialogut por edhe për të gjitha hapat e tjerë për zgjidhjen e kësaj krize. Në këtë përpjekje nuk është fati i PS-së, por fati i demokracisë në Shqipëri, që na përfshin të gjithëve”. Për sa i përket protestave, Rama u shpreh se aktualisht PS është në protestë përderisa nuk merr pjesë në Parlament. “Sot jemi të fokusuar tek tryeza dhe për këtë arsye e gjithë përpjekja jonë për atë që do të zhvillohet më pas do të bëhet në një kohë tjetër”, vijoi ai.