E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama ndërmerr një tjetër tur për krizën

11/06/2010 Internacionalja Socialiste tryezë me të majtët në SHBA

Në këto takime kreu i socialistëve do të shoqërohet nga Dade

Lidershipi socialist do të vijojë t’u kushtojë rëndësi të veçantë takimeve me partnerët ndërkombëtarë. Kjo për të vetmen arsye: atë të realizimit të kërkesës për transparencën zgjedhore. Kështu, kupola rozë ka nisur prej kohësh lobimet, duke synuar jo vetëm marrjen e garancive nga faktori ndërkombëtar për një çështje të tillë, por nga ana tjetër për të gjetur një mbështetje sa më të gjerë në këtë drejtim. Ndërkohë që burime pranë selisë rozë bënë me dije se pritet që kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, të ndërmarrë një udhëtim për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fluturimi i radhës i kryetarit socialist, në kuadër të takimeve me partnerët ndërkombëtarë, mësohet se do të ndërmerret pikërisht për të qenë pjesë e një tryeze me diplomacinë amerikane, ku ndër të tjera do të diskutohet dhe kriza politike. Konkretisht, do të jetë Internacionalja Socialiste ajo e cila do të zhvillojë këtë takim mes partive të majta, anëtare të saj. Mësohet se në këtë takim kreu Rama do të jetë i shoqëruar nga sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë pranë Partisë Socialiste, Arta Dade. Por gjatë qëndrimit të tij në Amerikë, Rama do të takojë zyrtarë të lartë të këtij shteti, duke kërkuar në vijimësi mbështetjen për qëndrimin e kampit opozitar. Ndërkohë që edhe pse jo në mënyrë zyrtare, vetë përfaqësuesit e PS-së deklarojnë se tashmë është SHBA-ja, ajo e cila ka dhënë mbështetjen e saj për kërkesën e kampit opozitar për hapjen e kutive të votimit. Madje, në këtë kontekst, socialistët nuk ngurrojnë të shkojnë më tej, duke pretenduar se tashmë si Bashkimi Evropian, ashtu dhe SHBA-ja janë në koherencë me njëra-tjetrën, sa i takon pozicionit të tyre përkundrejt krizës politike që ka përfshirë vendin. Për më tepër, sipas PS-së, ndërkombëtarët në takimet me drejtuesit e lartë të kampit të majtë kanë mbrojtur kauzën e këtij kampi.

Takimi

Kryetari i Partisë Socialiste thirri në një takim pune deputetët e kësaj partie, pjesë e komisionit të Jashtëm dhe atij të Integrimit. Në këtë takim, të zhvilluar në pasditen e djeshme, mësohet se biseda është përqendruar kryesisht në zhvillimet e pritshme në institucionin e Kuvendit, për çështje të cilat janë të rëndësishme për proceset integruese të vendit. Ndërkohë po gjatë kësaj mbledhjeje, kreu socialist ka kërkuar nga parlamentarët e partisë së drejtuar prej tij që të monitorojnë me vëmendje të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me një proces të tillë. Por nga ana tjetër, deputetët duhet të mbajnë kontakte me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim që të shihet qartë pozicioni i PS-së në kuadër të integrimit të vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›