Rama në 20 vjetorin e FRESSH, prezanton programin për rininë
Forumi Rinor Socialist festoi dje 20 vjetorin e themelimit në pallatin e Kongreseve. Nën logon RE: FRESSH, rreth pesë mijë të rinj nga të gjitha qytetet e vendit u mblodhën dje në kryeqytet. Fillimisht takimi nisi me himnin kombëtar dhe një flamur gjigand që u shpalos në hapje të saj. Të rinjtë e kanë mbajtur në duar këtë flamur kombëtar dhe ia kanë përcjellë njëri tjetrit, duke mbuluar me të gjithë platenë e sipërme të Pallatit të Kongreseve.
Më pas kryesocialisti Rama iu drejtua të pranishmëve: RE:FRESSH është një mundësi e gjeneratës së re për ta ndryshuar politikën e për të bërë më të mirë me ta e me gjithë shqiptarët. Lideri i së majtës i bëri thirrje që të angazhohen në vendimmarrjen politike, si një mundësi që sipas tij do ti jepte fund problemeve në vend.
Kam dëgjuar shpesh të rinj që thonë nuk merrem me politikë apo më keq, sdua tia shoh surratin dhe ti dëgjoj as zërin politikës. Gabim! Sepse politika ndërkohë merret përditë me ju e me secilin që kujton se i shpëton duke mos u marrë me të. E sa më pak ju të merreni me politikën, aq më shumë do ti vuani në lëkurë mëkatet e gabimet e saj, tha Rama. Për kreun socialist, RE:FRESSH është mundësia e re e të rinjve, për të guxuar, sipas tij, për ndryshimin e politikës. Në sallës e mbushur me rreth pesë mijë të rinj, kryesocialisti paraqiti programin e ri të PS-së për një Rilindje Shqiptare.
Lideri socialist u fokusua në arsimin dhe në punësimin e të rinjve, dy problem që për Ramën janë tepër shqetësuese për të rinjtë shqiptarë. Ne duam ti japim jetë një qeverie që angazhohet realisht me ju, të dëgjojmë shqetësimet tuaja sot e nesër, historitë, mendimet tuaja, tha Rama. Kryetari i PS ftoi të rinjtë që duan të ndryshojnë realitetin e këtij vendi të bëhen pjesë e rrugës socialiste. A e dini ju se sot pesë për qind e shqiptarëve zotërojnë më shumë se gjysmën e pasurisë së vendit. Cilido nga prindërit tuaj rrogëtarë paguan më shumë taksa për qeverinë sesa kryeministri dhe ministrat. Kjo është e vërteta e hidhur, por ne duam të ndryshojmë këtë realitet. Kush fiton më shumë duhet të paguajë më shumë,- tha Rama. PS shprehu angazhimin e saj për luftimin e korrupsionit në dyert e administratës shqiptare dhe rivitalizimin e jetës ekonomike.
Kreu i PS theksoi se pas ardhjes në pushtet, e majta do heqë disa prej taksave që pengojnë uljen e çmimeve në treg. Programi ynë e thotë edhe këtë. Qeveria e rrëzoi nismën tonë. Por ne do ta bëjmë me shumicën që do të marrim në zgjedhjet e ardhshme. A e dini ju se çfarë barre është taksa e inputeve bujqësore për prindërit që jetojnë në fshat. Ne do ta heqim këtë takes,- tha Rama. Më herët, sekretari socialist për rininë në PS, Erjon Veliaj shprehu nevojë për rigjenerim të ideve për ti dhënë një tjetër shtytje zhvillimit të vendit. Një rifresh, një rifreskim i të gjitha ideve tona është zgjidhja për Shqipërinë. Në Shqipëri ka një milion të papunë, ai që është ulur sot krah jush është i papunë. Ata janë të rinj, janë të shkolluar dhe janë të pashpresë. Nëse jeni fëmijë apo dhëndër i familjeve në pushtet mund të punosh ku të duash, në ministri në ambasadë. Sot shoqëria më e pabarabartë se kurrë, theksoi Veliaj.
Vlerësohen themeluesit e FRESSH
Në takim ishin edhe disa prej anëtarëve më të vjetër të kësaj organizate rinore si Ndre Legisi apo Ilir Zela. Edhe vetë Rama u mundua që të evidentonte figurat e rëndësishme të kësaj organizate, ku një prej drejtuesve të saj Ilir Meta tashmë gjendet në koalicion më PD. Gëzuar nga Pandeli Majko në Nju Jork sot tek çdonjëri prej jush. Gëzuar, nga Ilir Zela këtu në sallë tek çdonjëri prej atyre që do të donin të ishin me ju këtu me ju. Gëzuar, nga freshisti i moçëm Ndre Legisi po këtu në sallë, tha Rama. Të pranishëm në pallatin e Kongreseve ishin edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë si ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu apo ambasadorja britanike Mekuillam. Në hyrjen e pallatit të Kongreseve, PS kishte ngritur një pikë regjistrimi për anëtarët e rinj të kësaj organizate, të cilët pasi merrnin kartën e anëtarësimit, mund të merrnin pjesë në aktivitetet e FRESSH.
2013, PS database për organizmin e fushatës
Partia Socialiste ka nisur përgatitjen për zgjedhjet elektorale të 2013. Pas përfundimit të programit me të cilën opozita do të futet në zgjedhjet e përgjithshme, PS ka filluar organizmin e bazës për zhvillimin e fushatave. Armando Subashi ka nisur hartimin e një database të plotë për të gjitha zonat e vendit, ku anëtarët e kësaj partie por edhe simpatizantët do të shpërndahen për zhvillimin e fushatës. Një fakt të tillë e ka pohuar edhe Sekretari për Rininë dhe Emigracionin Erion Veliaj.
Pyetjes së një të riu se si mund të kontribuojë për PS dhe për vendin, Veliaj iu përgjigj duke e ftuar që të kontaktojë me Armando Subashin për të regjistruar emrin si bashkëpunëtor për fushatën e ardhshme. Deri në zgjedhjet e ardhshme, PS do të nisë turin e ardhshëm në të gjithë vendin për plotësimin e programit elektoral dhe një dëgjesë publike në qytete të ndryshme. Gjatë këtyre tureve, PS do të tentojë që të shtojë me 30 për qind anëtarësinë e saj. Gjatë takimit të pasdites në Akademinë e Arteve, Veliaj zbuloi detaje të planit duke u shprehur se Blendi Klosi ka nisur punën për hartimin e një skeme për rritjen e përqindjes së anëtarësisë së re në PS. Në takimin e konceptuar me pyetje përgjigje, Sekretari për Programin Ilir Beqja, Arbër Mazniku dhe Elisa Spiropali iu përgjigjën interesit të të rinjve për programin e PS. Programi është një mundësi për të kuptuar se kush është oferta jonë. Ne po punojmë në bisedë me të gjithë shqiptarët për të shtuar copëza për të gjithë shqiptarët, tha Beqja.
