Nano në kërkim të 20 deputetëve?
Afrimi i garës për postin e Presidentit të Republikës ka shtuar negociatat e ndërmjet kandidatëve të vetëshpallur, por edhe forcave politike. Fatos Nano, i cili e ka shprehur hapur ambicien e tij për tu vendosur në postin e lartë të Presidentit, ka filluar negociatat e fshehta me drejtuesit e lartë të Partisë Demokratike. Burime brenda së djathtës bëjnë të ditur se këto ditë, ky i fundit ka dërguar negociatorë për të marrë mbështetjen e mazhorancës për zgjedhjen në krye të institucionit të Presidencës. Frrok Çupi, Emin Barci dhe Zef Preçi kanë takuar nënkryetarin e Partisë Demokratike, Astrit Patozi dhe kanë diskutuar enkas par këtë çështje. Teksa zyrtarisht Patozi ka deklaruar se Nano nuk do të jetë kandidati i PD-së për President, burime nga ky takim kanë bërë të ditur se ai i ka lënë një dritare hapur ish-kryeministrit.
Në takimin mes nënkryetarit të PD-së, Astrit Patozi dhe negociatorëve të Nanos ka qenë i pranishëm edhe Oerd Bylykbashi, drejtori i kabinetit të kryeministrit Berisha dhe një nga njerëzit e tij më të besuar. Gjatë takimit demokratët e kanë kushtëzuar mbështetjen e tyre me votat që Fatos Nano do të arrijë të marrë nga partitë e tjera. Ish-kryeministrit Nano i është vendosur si kusht marrja e 20 votave nga LSI, PDIU dhe më kryesorja nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Duke njohur marrëdhëniet e Nanos me dy partitë që janë në koalicion me PD-në dhe të pavarurin Kastriot Islami, duket se shtatë vota mund të merren pa shumë lodhje. Nëse PS hyn në sallën e parlamentit dhe votimi bëhet i fshehtë, Nano siguron të paktën edhe dy ose tre vota të tjera nga deputetët e PS-së. Pas kësaj Nanos i duhen edhe më shumë se 10 vota të tjera që duhet të vijnë nga socialistët.
Skema e PD-së për të mbështetur Nanon bazohet tek matematika e thjeshtë e numrave për të arritur 84 vota që do të kënaqnin edhe ndërkombëtarët me idenë se u zgjodh një president konsensual. Vetë PD ka 67 vota në parlament dhe i ka kërkuar Nanos që të sjellë me vete të paktën edhe 20 vota për të arritur shumën 87 që do i jepte Berishës një lloj sigurie edhe nëse disa prej deputetëve të tij i dalin nga rreshtat gjatë votimit të fshehtë.
Rivalja kryesore e Nanos për këtë post është Jozefina Topalli, edhe ajo e vetëkandiduar për postin e Presidentit të Republikës. Topalli ka me vete disa deputetë brenda PD-së, kryesisht deputetët e Shkodrës dhe në një farë mënyrë i bën presion Berishës për Presidentin. Por burime brenda PD-së pohuan se Topalli nuk ka numrat dhe guximin e duhur për të dalë kundër vendimit politik të partisë.
Nisjen e bisedimeve me mazhorancën e ka pohuar edhe vetë ish-kryeministri Nano, i cili është shprehur: …Jam shumë i vëmendshëm për të gjetur partnerët në të dyja kampet, që më në fund do ta bënin të qëndrueshme prirjen që po shfaqet muajt e fundit, për të konkurruar me njëri-tjetrin, pa shkatërruar axhendën kombëtare të integrimit. Ish kreu socialist ka lënë pas edhe akuzat e ashpra ndaj drejtuesve aktualë të së majtës, duke u përpjekur që të fitojë mbështetjen e selisë rozë. Ai po mundohet që të gjejë mbështetjen tek anëtarët e vjetër të selisë rozë, një pjesë e të cilëve janë ende deputetë. Por, duket se nuk do të jetë aq e lehtë pasi edhe disa prej deputetëve të vjetër si Ata Dade, Pandeli Majko, Namik Dokle kanë refuzuar ti japin mbështetje.
Varianti Nano dhe Presidenti kukull
Nëse dështon varianti Nano, PD do i rikthehet tezës së vjetër të propaganduar prej kohësh nga kryeministri Berisha që Presidenti do zgjidhet nga ai vetë me 71 vota. Madje Berisha ka insistuar se Presidenti do të jetë një nga figurat drejtuese të PD-së, por pa përmendur emra konkretë si Jozefina Topalli apo ndonjë tjetër. Por burime brenda PD-së thanë se Berisha insiston të gjejë një emër profil deri diku të njohur, por pa profil të lartë individual. Në këtë mënyrë ai do të jetë lehtësisht i komandueshëm nga kryeministria. Rëndësia e një Presidenti kukull shtohet edhe për faktin se në vjeshtë të këtij viti vjen edhe procedura për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Emri i tij propozohet nga presidenti dhe zgjidhet nga Parlamenti me shumicë të thjeshtë. Duke qenë se Berisha i ka votat në parlament i duhet vetëm një emër i pranuar prej tij për tu vendosur në krye të prokurorisë. Nëse kryeministri aktual do të hyjë në vitin elektoral 2013 duke pasur nën kontroll qeverinë, Presidentin, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Gjykatat, ai do të ketë pushtetin maksimal dhe opozita do e ketë shumë të vështirë të përballet me një makinë të tillë elektorale.
Tre negociatorët e Fatos Nanos
Tre negociatorët që po lobojnë për zgjedhjen e Fatos Nanos në krye të shtetit njihen për miqësinë e tyre të ngushtë me ish-kryeministrin. Emin Barçi ka qenë shef kabinetit të kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nano. Zef Preçi ka qenë këshilltar i kabinetit të kryeministrit Nano dhe më pas është emëruar si këshilltar ekonomik i presidentit Alfred Moisiu. Aktualisht ai është Drejtor i Institutit te Studimeve Ekonomike. Frrok Çupi njihet për miqësinë e vjetër me ish-kryeministrin Nano, i cili e emëroi në krye të ATSH-së. Tre të besuarit e ish kryeministrit Nano po shërbejnë si urë komunikimi ndërmjet këtij të fundit dhe dhe mazhorancës.
Negociatat e Topallit për Presidente
Nga kampi i djathtë Jozefina Topalli është figura kryesore që përflitet si kandidatura më e mundshme për postin e Presidentit. Kryetarja e Kuvendit ka filluar lobimin brenda së djathtës. Gjatë takimeve me personalitetet e vendeve të tjera, por edhe me turin e nisur në të gjithë vendin, nënkryetarja e PD ka shfaqur dëshirën për të pasur një post të rëndësishëm. Ndonëse duhen edhe rreth pesë muaj nga procedurat, aleancat kanë filluar që të konfigurohen që tani brenda së djathtës. Kushtetuta sanksionon që votimi të jetë i fshehtë. Tre raundet e para përcaktojnë se kreu i shtetit zgjidhet me 84 vota dhe në votimin e katërt e të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të gjithë anëtarëve të Kuvendit, pra 71 vota.
Procedura kushtetuese
Brenda pesë majit parlamenti duhet të nis procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri. Ligji përcakton se kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Një deputet nuk lejohet të propozojë në të njëjtën kohë më shumë se një kandidat. Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni.
PS ngre grupin e punës për profilin e Presidentit
Partia Socialiste ka ngritur fundjavën e kaluar një grup pune për të krijuar profilin e kandidaturës për pozicionin e Presidentit të Republikës. Kryetari i PS-së, Edi Rama, i ka shpjeguar deputetëve se nuk bëhet fjalë për përzgjedhjen e një kandidature, por ndërtimit të një profilit të tij. Anëtarët e grupit të punës do të jenë kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi, nënkryetari i Kuvendit Namik Dokle, sekretari për Çështjet Zgjedhore Damian Gjiknuri dhe anëtari i Komisionit të Ligjeve, Saimir Tahiri. Katër deputetët e Partisë Socialiste do të duhet që në mbledhjen e parë të punës së tyre të përcaktojnë axhendën dhe si do të vijojë ndërtimi i profilit për kandidaturën e Presidentit të Republikës. Ndonëse ndodhemi gjashtë muaj përpara përfundimit
