Rama në Berat: “Do të zgjidhim problemet e rinisë”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka qenë dje në Berat në kuadër të turit të tij “Dialog me Shqipërinë”. Rama është takuar me të rinjtë e qytetit të Beratit, të cilëve u ka premtuar zgjidhjen e problemeve të arsimimit dhe të punësimit. “Problemet tona janë ngado ku hedhim sytë, duke filluar që nga shtëpia ku jetojmë, te shkolla ku çojmë fëmijët e vegjël, te gjimnazi ku secili prej shumicës këtu, shkon çdo mëngjes, tek universiteti ku qindra dhe mijëra prindër investojnë me sakrifica për të çuar fëmijët e tyre dhe nga ku në dyert e universiteti dalin shumë më tepër të papunë, se sa njerëz që mund të punojnë, e pastaj tek fshati dhe qyteti ku jetojmë, që ndryshojnë çdo ditë nga shumë pak dhe nuk ndryshon asnjë vit aq sa ne duam të ndryshojmë, tek rrugët e Shqipërisë, tek çmimet që rriten çdo ditë e më shumë, te pamundësia për të lëvizur lirisht në Europë. Të gjitha këto, kush duhet t’i zgjidhë? Këto duhet t’i zgjidhë politika. Ajo politikë që duhet të marrë jetë mes nesh, që duhet të marrë jetë mes njerëzve të lirë e të thjeshtë, që nuk duhet të lejojnë më që fati i tyre të delegohet në duart e një grushti njerëzish, por duhet ta marrin fatin e tyre në dorë, për të folur për problemet e tyre dhe për t’i thënë njëri-tjetrit se nuk e pranojnë këtë gjendje. Ne duhet të ndryshojmë dhe të kontribuojmë bashkë me të tjerë, që kjo gjendje të ndryshojë”, - u shpreh Rama.
LSI-ja dënon aktin e dhunës ndaj gazetarit Përparim Halili
Lëvizja Socialiste për Integrim shpreh shqetësimin dhe indinjatën e saj të thellë për rikthimin e dhunës fizike mbi gazetarët e medias së lirë. Drejtori i Marrëdhënieve me Publikun pranë LSI-së, Dritan Ylli, dënoi aktin e dhunimit ndaj zëvendëskryeredaktorit të gazetës “Sot”, Përparim Halili. “Ky akt i shëmtuar dhe kërcënues ndaj lirisë së fjalës vjen pas disa veprimeve represive që pushteti i Berishës po ushtron sistematikisht mbi mediat e pavarura në përgjithësi dhe gazetën “Sot” në veçanti. Por, presioneve mbi Top Channel, Vizion Plus, gazetën “Sot” dhe shumë media të tjera, tashmë i shtohet edhe goditja fizike, çka tregon se sot më tepër se kurrë, mendimi ndryshe dhe fjala e lirë janë të rrezikuara, se demokracia në këtë vend ende mbetet e kërcënuar. LSI mendon se guximi i falangave të pushtetit për të goditur median e lirë i ka rrënjët tek unifikimi i qëndrimeve të Partisë Socialiste me Partinë Demokratike, çka sjell dhe trimërimin e marrë bazuar në një mentalitet provincial të grupeve kriminale për të goditur e për të mbyllur gojën e medias së lirë”, - tha ai.
Harasani: “Centrali bërthamor, paradoksi i radhës i Berishës”
Deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani, e ka komentuar si paradoksin e radhës deklaratën dhe angazhimin e kryeministrit Berisha për të hapur në Shqipëri një central bërthamor. “Dëgjuam dje jo pa shqetësim kryeministrin tonë aktual se si u tregonte investitorëve në Forumin “Crans Montana” për koncesionet e shumta që qeveria ka dhënë në fushën energjetike dhe se si së shpejti do të fillojmë dhe energjinë bërthamore. Të vjen keq të shikosh se si në një vend ku papërgjegjshmëria qeveritare konkretizohet me fatkeqësinë e Gërdecit, në një vend ku dhe Instituti i Fizikës Bërthamore mbyllet pasi nuk ka buxhet e askush nuk kontrollon dhe qumështin që pinë foshnjat, të flitet për central bërthamor. Kjo nuk është gjë tjetër, veç paradoks.
Nuk mund të mos na kujtohej mbas kësaj fjale, firmosja pompoze e investimit disa miliarda euro, për ndërtimin e një termocentrali në Seman të Fierit para tre vitesh. U fol për investim që jo vetëm do të zgjidhte problemin tonë energjetik, por dhe të fqinjëve. Jo pa keqardhje, të gjithë vëmë re se në këto tre vite nuk është vënë akoma asnjë tullë për këtë vepër”, - u shpreh Harasani.
19 Maj 2008