Subjektet që do të monitorohen në 2008-n për pastrim parash
Laureta Rryçi
Tiranë - Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave gjatë këtij viti ka vendosur t’u kërkojë më shumë llogari subjekteve raportuese. Sipas raportit vjetor në objektivat për 2008-n është përcaktuar se përgjatë këtij viti pritet të dyfishohen raportet qoftë për transaksionet me vlera, qoftë edhe ato të aktiviteteve të dyshimta. Kjo nuk do të jetë e vlefshme vetëm për bankat, por edhe për institucionet e tjera që monitorohen për pastrim parash. “Përparësi do të ketë marrja, kërkimi, analizimi dhe shpërndarja për autoritetet kompetente dhe agjencitë e zbatimit të ligjit e informacionit financiar lidhur me të ardhurat që dyshohet se kanë origjinë kriminale, si dhe të ardhura që dyshohet se do të shërbejnë për financimin e aktiviteteve të mundshme terroriste”, - shkruhet në raportin vjetor. Subjektet raportuese më të rëndësishme të përcaktuara në ligj janë të gjitha institucionet financiare, banka dhe jo-banka, zyrat e këmbimeve valutore, avokatët, noterët, ekspertët kontabël, kazinotë dhe lojërat e fatit, zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme etj. Këto institucione do të monitorohen gjatë gjithë kohës përgjatë këtij viti duke realizuar inspektime të njëpasnjëshme.
Objektivat
Përshtatja e legjislacionit shqiptar mbi PP/FT me standardet ndërkombëtare të luftës kundër PP/FT; rritja e numrit të raporteve(RTV dhe RAD) të marra, pothuajse 150 000 në vit dhe të inspektimeve deri në 350 deri në fund të vitit 2008.
Zbatimi i politikave dhe strategjive kombëtare për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftës kundër financimit të terrorizmit.
Dizenjimi i një platforme IT të plotë dhe eficente për të ndihmuar në thithjen, analizimin dhe shpërndarjen e informacionit financiar: përpunimi eficent i informacionit financiar të
marrë nëpërmjet RTV e RAD me qëllim hartimin dhe përpilimin e dosjeve të plota për t’u referuar në Prokurorinë e Përgjithshme për ndjekje penale. Rritja e eficencës në punë dhe shtimi i rasteve të parandalimit të pastrimit të parave dhe
financimit të terrorizmit.
Parandalimi
Thellimi dhe zgjerimi i luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Përafrimi dhe përshtatja e legjislacionit shqiptar përkatës me standardet ndërkombëtare të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, nëpërmjet hartimit dhe plotësimit të tij me një ligj të ri dhe akte nënligjore korresponduese. Rritja e eficencës nëpërmjet ndërtimit të një platforme të infrastrukturës së teknologjisë së informacionit dhe zhvillimit të performancës së burimeve njerëzore. Hartimi i politikave dhe strategjive kombëtare parandaluese dhe të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit nëpërmjet zhvillimit dhe përmirësimit të bashkëpunimit ndërinstitucional kombëtar dhe ndërkombëtar. Zhvillimi dhe thellimi i bashkëpunimit me homologët ndërkombëtarë në kuadër të një lufte globale kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Implementimi me sukses i të gjitha standardeve ndërkombëtare të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit brenda vitit 2014.
Standardet dhe qëllimet strategjike të drejtorisë
Standardet ndërkombëtare të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, të njohura ndryshe si 40+9 Rekomandimet e FATF (Financial Action Task Force).
Qëllimi 1:
Lufta kundër pastrimit të parave, financimi të terrorizmit dhe krimeve të tjera financiare përmes analizimit të inteligjencës financiare dhe informacioneve të tjera të rëndësishme.
Qëllimi 2:
Intensifikimi i bashkëpunimit ndërkombëtar kundër pastrimi të parave, përmes rrjetit global të njësive të inteligjencës financiare.
Detyrimet për shkak të marrëveshjes
Në zbatim të detyrimeve të parashikuara në nenet 4 dhe 82 të MSA-së, qeveria shqiptare duhet të angazhohet për të forcuar autoritetin e luftës kundër pastrimit të parave me origjinë nga aktivitetet kriminale si dhe për dekriminalizimin e aktivitetit ekonomik në vend. Në këtë mënyrë synohet që t’i shërbehet rritjes së besueshmërisë në vend dhe në sistemin e tij ekonomik e ligjor. Fuqizimi i kapaciteteve në këtë drejtim do të ketë vëmendjen kryesore me qëllim arritjen e rezultateve të dukshme dhe konkrete. Në përmbushje të këtyre detyrimeve qeveria shqiptare do të bashkëpunojë me vendet e tjera ne rajone me gjerë me qëllim
parandalimin e përdorimit të sistemeve financiare për pastrimin e të ardhurave nga aktivitete kriminale në përgjithësi, si dhe përdorimin e tyre për qëllime të financimit të terrorizmit.
Për adresimin e prioriteteve afatmesme që dalin nga MSA-ja janë ndërmarrë aktivitetet e mëposhtme zbatuese: Trajnimi i shoqërive të sigurimeve ose risigurimeve mbi legjislacionin e parandalimit të pastrimit të parave dhe luftën kundër financimit të terrorizmit. Trajnimi i bankave të nivelit të dytë mbi legjislacionin e parandalimit të pastrimit të parave dhe luftën kundër financimit të terrorizmit. Binjakëzimi me njësinë e inteligjencës financiare gjermane.
Iniciativat legjislative për pastrimin e parave
Në tetor 2004, FATF (Financial Action Task Force – Task Forca e Veprimit Financiar) rishikoi standardet e luftës kundër pastrimit të parave duke bërë ndryshime dhe duke i shtuar 40 rekomandimeve edhe 9 rekomandime speciale që i adresoheshin drejtpërsëdrejti parandalimit të financimit të terrorizmit. Pas raundit të tretë të vlerësimit të Shqipërisë në fushën e luftës së parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit nga Moneyval (Komitetit të Eksperteve për Vlerësimin e Masave të Luftës kundër Pastrimit të Parave), u evidentua rëndësia dhe nevoja konkrete për ndryshime rrënjësore në legjislacionin shqiptar. Moneyval doli me një sërë rekomandimesh për të ndihmuar qeverinë shqiptare në përafrimin e legjislacionit me standardet ndërkombëtare
të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (PP/FT) të shprehura ne 40+9 Rekomandimet e FATF.
Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave mbikëqyr zbatimin e ligjit mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit nga ana e subjekteve raportuese të përcaktuara në këtë ligj. Ministri i Financave, si një nga institucionet kryesore që gëzon të drejtën kushtetuese për ndërmarrjen e iniciativave ligjore për propozim në Këshillin e Ministrave, është përfshirë në këtë proces në bazë të fushës së veprimtarisë shtetërore që ka në kompetencë si organ, në varësi direkte të të cilit funksionon Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional në realizimin e projektligjit mbi PP/FT, u përfshinë edhe Banka e Shqipërisë si autoriteti mbikëqyrës dhe rregullues i veprimtarisë bankare dhe veprimtarive të tjera bankare të përcaktuara në Ligjin Nr. 9662, datë 18.12.2006
“Për bankat në Republikën e Shqipërisë”; Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dhe Ministria e Brendshme si organet kryesore të zbatimit të ligjit në Republikën e Shqipërisë.
Raporti, bankat “rrëfejnë” transfertat e dyshimta
Bankat në vend vendosin të rrëfejnë llogaritë e dyshimta bankare. Vetëm përgjatë vitit 2007 ato kanë raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit dhe Pastrimit të Parave 748 raste të cilat janë presupozuar si të dyshimta nga ana e tyre. Gazeta “Albania” boti një numrin e kaluar shifrat e plota që pasqyroheshin në Raportin Vjetor të vitit 2007 të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit dhe Pastrimit të Parave. Sipas këtij raporti, edhe pse është rritur së tepërmi numri i transfertave elektronike të parave, gjatë vitit 2007 shuma e parave “cash” që qarkullojnë brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë është ende e lartë. Raporti që ka përfunduar vetëm pak ditë më parë pasqyron të gjitha subjektet që janë inspektuar për pastrim parash dhe rezultatet që kanë dalë. Duke iu referuar raportit mësojmë se cilat subjekte kanë qenë më të pritura për të deklaruar sipas ligjit të gjitha transaksionet me vlera të larta. Nga statistikat dhe raportimet e kryera nga organet doganore ka rezultuar se këto para në shumicën e rasteve qarkullojnë për qëllime tregtie me vendet e rajonit. Subjektet raportuese më të rëndësishme të përcaktuara në ligj janë të gjitha institucionet financiare, banka dhe jo-banka, zyrat e këmbimeve valutore, avokatët, noterët, ekspertët kontabël, kazinotë dhe lojërat e fatit, zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme etj. Sipas ligjit, subjektet regjistrojnë dhe bëjnë raportimin pranë Autoritetit Përgjegjës për çdo veprim financiar, në rastet kur ka të dhëna ose dyshime të bazuara, në fakte e rrethana konkrete, për pastrim parash si dhe për të gjitha rastet e veprimeve financiare në “cash” dhe/ose transfertave të fondeve për shuma mbi “20 000 000 (njëzet milionë) lekë ose kundërvlerën në monedha të tjera, të huaja si dhe në rastet kur kanë dyshime për kryerjen e aktiviteteve të pastrimit të parave apo financimit të terrorizmit.
19 Maj 2008