E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Durrës: “Nuk tërhiqemi pa rivendosur dinjitetin e votës”

Kandidatët Rama dhe Lakrori vijojnë përballjen në qytetin e Durrësit. Lakrori: “PS-ja duhet të ndahet përfundimisht nga kulti i individit”

Shaban Sulçe
Fushata për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Socialiste ka vijuar dje në qytetin e Durrësit. Kandidatët për postin e kreut të selisë rozë, kryetari në detyrë Edi Rama dhe ish-deputeti Maqo Lakrori, janë takuar me anëtarësinë socialiste të rrethit të Durrësit, ku kanë shpalosur platformat e tyre konkurruese.
Edhe gjatë fjalës së tij në këtë takim, kreu në detyrë Edi Rama i ka bërë thirrje anëtarësisë socialiste për të rezistuar ndaj një maxhorance, e cila, sipas tij, erdhi në pushtet duke manipuluar votat e shqiptarëve. Rama theksoi se Partia Socialiste nuk tërhiqet nga kauza e saj për rivendosjen e dinjitetit të votës.
Ndërkaq, kandidati tjetër, Maqo Lakrori, duke folur për platformën e tij, u ka bërë thirrje anëtarëve të PS-së që ta votojnë atë, pasi sipas Lakrorit, kjo platformë synon që të shkëpusë përfundimisht Partinë Socialiste nga “kulti i individit”.

Rama
Duke rikujtuar faktin se PS-ja doli forca e parë në zgjedhjet e 28 qershorit, Rama tha se populli opozitar ishte fituesi i këtyre zgjedhjeve, por, sipas tij, PS-së iu mohua pushteti për shkak të makinerisë elektorale të shtetit, e cila grabiti votat e shqiptarëve duke mos hezituar të bashkëpunojë edhe me krimin. Kreu në detyrë i PS-së tha se populli opozitar duhet të bëjë rezistencë ndaj një pushteti, ku pavarësisht se si voton populli, fituesit janë po të njëjtët. Ai i cilësoi standardet zgjedhore si tërësisht të munguara dhe i krahasoi zgjedhjet në Shqipëri me zgjedhjet e vendeve me demokraci të munguar. Rama konfirmoi edhe njëherë qëndrimin e Partisë Socialiste për të mos u pajtuar me rezultatin e 28 qershorit dhe për të mos njohur Parlamentin dhe qeverinë. Ai tha se Partia Socialiste nuk i fal zgjedhjet e 28 qershorit dhe se nuk tërhiqet nga kauza e saj për rivendosjen e dinjitetit të votës. “Nëse ne falim zgjedhjet e 28 qershorit, nëse ne mbyllim kapakun pa rivendosur dinjitetin e votës, atëherë në zgjedhjet e ardhshme kurdo qofshin ato do të gjendemi përpara një kurthi edhe më të pashmangshëm”, - tha Rama. Kreu i PS-së në detyrë hodhi akuza ndaj pushtetarëve të PD-së dhe vetë kryeministrit Berisha, të cilët i akuzoi për korrupsion dhe abuzime me fondet publike.

Lakrori
Duke folur për idetë dhe pikëpamjet e tij për drejtimin e Partisë Socialiste, kandidati Maqo Lakrori tha se platforma e tij synon kryesisht shkëputjen përfundimtare të PS-së nga kulti i individit. “Duhet të ndahemi përgjithmonë nga kulti i individit, që është një histori tepër e gjatë. Mësimet e hidhura nga e kaluara e largët dhe e afërt tregojnë se nuk ka njerëz shpëtimtarë që i dinë të gjitha, por skuadra shpëtimtare”, - tha Lakrori. Ai nënvizoi rëndësinë e ndryshimeve statutore, të cilat janë kundër një partie-shtet, synojnë ndarjen nga kulti i individit dhe mundësojnë që procesi i konkurrimit në parti të mos kushtëzohet nga raporti me kryetarin, por nga vlerat e gjithsecilit. Lakrori theksoi gjithashtu se platforma e tij, “Socialistët e bashkuar” synon gjithashtu bashkimin e së majtës, organizimin e një referendumi popullor për ndryshimet kushtetuese, zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme dhe objektivi për fitoren e tyre dhe rikthimin e PS-së në pushtet.

12 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›