E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpallet lëvizja “Për mendimin ndryshe” në PS: Jo bojkotit të Kuvendit

Blushi: “Nëse vijojmë bojkotin, i bëjmë nderin më të madh Sali Berishës”. Malaj: “Ky takim është vetëm fillimi, do të reformojmë Partinë Socialiste”

Shaban Sulçe
Me moton “Jo bojkotit” është zhvilluar dje takimi i parë i shpalljes së lëvizjes “Për mendim ndryshe” në Partinë Socialiste. Kundërshtarët e kryetarit në detyrë të Partisë Socialiste, Edi Rama, të drejtuar kryesisht nga deputetët Arben Malaj dhe Ben Blushi, janë mbledhur dje në takimin e paralajmëruar, i cili u zhvillua në sallën e Akademisë së Arteve. Të pranishëm në takim kanë qenë deputetët e tjerë socialistë, Harasani, Bello, Islami, si dhe mjaft figura dhe personalitete ndër vite të PS-së, duke filluar nga ish-Presidenti i Republikës, Rexhep Meidani; ish-themeluesi i PS-së, Moikom Zeqo; ish-ministra; ish-deputetë; anëtarë të Kryesisë; anëtarë të Asamblesë Kombëtare, si dhe kryetarë të degëve të PS-së në rrethe. Përfaqësuesit e lëvizjes “Për mendimin ndryshe” kanë kërkuar rikthimin e menjëhershëm të PS-së në Kuvend, duke e cilësuar shumë të dëmshëm vendimin për bojkotin e Parlamentit jo vetëm me pasoja për PS-në, por edhe për vendin. Ata kanë kërkuar gjithashtu nga kryetari në detyrë Edi Rama që të marrë përgjegjësinë për humbjen e 28 qershorit, ndërsa kanë nënvizuar rëndësinë e miratimit të ndryshimeve statutore.

Blushi
Deputeti Ben Blushi deklaroi se në këtë takim ishin mbledhur të gjithë ata që janë të shqetësuar me gjendjen në të cilën ndodhet sot Partia Socialiste. Sipas tij, Shqipëria po pret nga Partia Socialiste që t’i thotë të vërtetën, dhe kjo e vërtetë është se PS-ja nuk erdhi në pushtet jo vetëm për shkak të cilësisë së zgjedhjeve, por edhe për shkak të cilësisë së tyre. Ai e akuzoi Edi Ramën se me vendimin për bojkotin po e çon PS-në në një rrugë shumë të gabuar. Blushi tha se bojkoti është nderi më i madh që po i bëhet qeverisë dhe kryeministrit Sali Berisha. “PS-ja nuk po e përtyp disfatën e 28 qershorit, nuk po gjen dot kurajën të ndryshojë, si në 2005-n. PS-ja po bojkoton, po nuk po lufton. PS-ja po hidhet në një betejë me një ushtri që po braktis frontin. Bojkoti nuk është rrugë e dobishme për PS-në, nuk është bindëse, është frikacake, është shërbimi më i mirë që i bëhet Berishës dhe së djathtës. Nuk ka kryeministër që nuk do të donte të mos e kishte kundërshtarin përballë. Edi Rama nuk ka mundur dot Sali Berishën, por ka mundur Partinë Socialiste. Ne jemi këtu për të mundur Berishën. PS-ja nuk ka arsye të trembet. Ajo duhet të kthehet në betejën politike, t’i thotë ‘jo’ bojkotit. PS-ja duhet të reformohet, duke i dhënë Shqipërisë opozitën për të cilën vendi ka nevojë, opozitë të fortë, serioze, që mbron interesat e vendit mbi interesat e veta. PS-ja nuk mund ta lërë vendin pa opozitë. Ne jemi mbledhur për të reformuar PS-në. Askush nuk mund të na pengojë nga kjo rrugë”, - tha Blushi.

Malaj
Anëtari i Kryesisë dhe deputeti Arben Malaj tha se Partia Socialiste ka sot nevojë më shumë se kurrë që të reformohet dhe të modernizohet. Sipas tij, situata në PS nuk është më e mira e mundshme. Malaj tha se demokracia e brendshme në PS është cenuar rëndë dhe se solidariteti partiak është zëvendësuar me servilizëm ndaj kryetarit Rama. Malaj ka theksuar domosdoshmërinë e hyrjes së PS-së në Kuvend, duke e cilësuar shumë të dëmshëm vendimin për bojkot. “PS-ja i arrin objektivat e saj vetëm duke qenë në Parlament. Një parti me tendenca radikalizuese bëhet e vogël, aspak demokratike dhe humbet shanset për të qenë parti fituese. PS-ja duhet të ndalë bojkotin. Një parti moderne e arrin suksesin duke marrë pjesë në institucione”, - tha Malaj. Ai theksoi se takimi ishte fillimi i një procesi të gjerë, i cili ka në thelb sfidën e rëndësishme për modernizimin e Partisë Socialiste. “Ky është vetëm fillimi i rrugës së ringritjes sonë. Është një fillim që do të sigurojë mbështetjen e socialistëve dhe të opinionit publik në takime të drejtpërdrejta. Sfida jonë është misioni ynë fisnik që të modernizojmë Partinë Socialiste”, - tha Malaj.

12 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›