E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, vizite te të dëmtuarit nga tërmeti

Rama te familjet që kalojnë natën jashtë: “Papërgjegjshmëri e shtetit që plaçkit”

Kryetari në detyrë i Partisë Socialiste, Edi Rama, është ndalur në dy fshatrat e dëmtuara më shumë nga tërmeti i rënë para pak ditëve në Gjoricë e Shupenzë të Dibrës. Duke vizituar familjet e dëmtuara nga tërmeti, Rama ka marrë dëshmitë e tyre për mungesë totale të vëmendjes dhe ndihmës nga shteti. Kryetari i PS-së ka dëgjuar prej tyre dëshmi të një çoroditjeje të strukturave shtetërore që bëjnë sikur u vijnë në ndihmë banorëve, por në fakt emergjenca e tyre qëndron në strehim. Edi Rama u shpreh se edhe pse duket paradoksale një situatë e tillë për një vend në mes të Europës, nuk ka si të ndodhë ndryshe, pasi pushteti aktual ka lindur vetëm për interesa personale dhe aspak për të qeverisur interesat e njerëzve: “Kjo braktisje është e pafalshme, por është normale për një pushtet që nuk ka lindur për të ndihmuar njerëzit, por ka lindur për të pasuruar familjen e të parit. Është skandaloze që mes të Europës ndodh një fatkeqësi e tillë dhe njerëzit vazhdojnë të flenë jashtë. Ndërkohë që kryeministri vazhdon të bëjë shfaqje, siç e thatë ju, me helikopter vjen, me helikopter ikën dhe çfarë mbetet mbrapa janë fëmijët dhe njerëzit jashtë. Është një pushtet pa asnjë lidhje me interesat e njerëzve, pa asnjë lidhje me hallet dhe shqetësimet e njerëzve, pa asnjë lidhje me nevojat e njerëzve. Është një pushtet që ka lindur vetëm për të plaçkitur çfarë të mundet, për t’u pasuruar në kurriz të njerëzve, për të folur gjithë ditën në emër të njerëzve dhe pastaj gjithë natën për të bërë punët e veta. Megjithatë, ne do të bëjmë gjithçka mundemi për të ngritur zërin, për të ngritur opinionin, për të ngritur problemet tuaja”, - tha Rama.

12 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›