E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Durrës: Ti japim fund gënjeshtrave me protesta

DURRES- Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka qenë në lagjen numër 16 të qytetit të Durrësit. Një lagje periferike kjo e një qyteti të dytë për nga rëndësia e zhvillimi në vend, ku njerëzit tregojnë që janë të vrfër, ku faturat e energjisë janë më të larta se ndihma ekonomike sipas banorëve.

Edhe në takimin me kreun e PS Rama, qytetarët shprehën ankesat e tyre për pamundësinë e përballimit të jetesës për shkak të çmimeve gjithnjë në rritje, për shkak të mungesës së vendeve të punës. Ndërsa lideri i PS është shprehur se kjo është situate e mijëra shqiptarëve, prandaj le të ngrihen së bashku në protesta.

“Në këtë situatë që jeni ju janë qindra mijëra njerëz që nuk kanë mundësi të paguajnë dritat, nuk kanë mundësi të shtyjnë muajin. Ka vetëm një rrugë për të dalë nga kjo gjendje, në protesta bashkë me ne për t’i dhënë fund kësaj historie korrupsioni, kësaj historie vjedhjeje, kësaj historie abuzimi, që i ka rrënjët aty tek ato kutitë e votimit” – theksoi Rama.

Duke i sqaruar banorët e lagjes 16, në Durrës se të vetmit që mund të ndryshojnë dicka, janë vetë ata, Rama i ka ftuar në protestë, si e vetmja rrugë për ti dhënë fund kësaj historie me rrena, sipas tij.

“Ju keni votuar për ndryshimin, pushteti e ka kthyer votën tuaj në një votë për vetveten. I vetmi që mund ta rikthejë në vend këtë punë është populli. Nuk do vazhdojmë kështu, do të protestojmë, do të protestojmë, do të protestojmë të gjithë bashkë. T’i japim fund kësaj historie. Kjo histori me rrena dhe me vjedhje duhet të mbarojë.”
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›