Rama në HardTalk: Berisha, përgjegjës për 21 janarin. Problemi nuk janë individët, por sistemi
Kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, doli përballë gazetares britanike Sarah Montague, në një nga emisionet më të ndjekura, por edhe më të vështirë në botë.
Rama iu përgjigj pyetjeve nga studio e emisionit HardTalk, ku gazetarët e BBC gozhdojnë të intervistuarit.
Gazetarja e pyeti disa herë Ramën për 21 janarin, ndërsa kryetari i PS tha se ishte një ngjarje e tmerrshme, duke shtuar se do bëhet gjithçka për një proces të drejtë. Rama tha se Berisha ka përgjegjësi për ngjarjen.
Vendimi për 21 janarin ishte i tmerrshëm. Mendoj që këto ngjarje sdo harrohen kurrë dhe them se nuk mund të gjykohen më me mënyrën e vjetër, pra atë të transformimit të fakteve. Do bëjmë gjithçka mundemi për një proces të drejtë dhe të pavarur. Kjo ka të bëjë me drejtësinë, Berisha ka pasur përgjegjësinë e tij për ngjarjen. Gjyqi për 21 janarin duhet të vazhdojë. Ne do bëjmë gjithçka mundemi që të ketë një proces, që familjet e viktimave të asistohet në mënyrën e duhur, tha Rama.
Këmnënguljes së gazetares për të mësuar se çdo të bëjë ai për korrupsionin, duke i sjellë dhe rastin e Ilir Metës, aleatit të ri të PS, Rama iu përgjigj duke thënë se nuk është problem individi, por sistemi, që duhet çrrënjosur.
Korrupsioni është diçka që duhet luftuar dhe mund të luftohet. Ne kemi njerëz në menaxhim ku ka shumë korrupsion. Besoj se ne do arrijmë të transformojmë gjithë sistemin. Ka shumë histori të suksesshme që mund të tregojnë se korrupsioni është i luftueshëm; padyshim që kjo do reforma të qarta e të plotë të cilat ne i kemi gati. Ne kemi një program special për bankat dhe stabilitetin e sektorit financiar. Ky program mendoj se do të na ndihmojë shumë në përmirësimin e buxhetit po duhet të shikojmë se cili është realiteti në sektorin financiar. Ne duhet të luftojmë korrupsionin dhe lufta ndaj tij do na ndihmojë në sistemin financiar. Programi ynë është i aplikueshëm. Këto janë gjëra që janë thënë. Luftimi i korrupsionit do na sjellë më shumë investime. Prandaj ne duhet të gjejmë rrugën e duhur për të ndërtuar një shtet të suksesshëm. Kemi filluar të diskutojmë sesi mund të ndihmojmë qytetarët, sesi mund të qeverisim dhe kemi disa prioritete, tha Rama.
Rama i ka cilësuar zgjedhjet e 23 qershorit si të mira duke u shprehur optimist se Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian.
Jemi në rrugë të mbarë drejt BE dhe zgjedhjet e 23 qershorit ishin një shtysë. Zgjedhjet ishin të mira dhe mendoj se pas testit të 23 qershorit KE mund të në japë përgjigje pozitive. Besoj se në dhjetor ose vitin e ardhshëm Shqipëria do të marrë statusin e kandidatit në BE, u shpreh Rama.
Për administratën, Rama tha se pas ardhjes së tij në qeveri nuk do të ketë një pastrim të saj, ashtu siç është folur.
Jo nuk e besoj këtë, ka njerëz të vlefshëm edhe brenda këtij sistemi të prishur. Nuk do të shpikim ndonjë gjë, por do të ndjekim historitë e suksesit të vende të tjera, të cilat kanë treguar se korrupsioni mund të mposhtet. Kemi nevojë për reforma të thella dhe vullnet, ne i kemi të gjitha, theksoi Rama./ep
