E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Kroaci, kërkon mbështetje për statusin

Gjatë takimit me Presidentin Josipoviç në pallatin presidencial, lideri i opozitës shqiptare e njohu me zhvillimet më të fundit në politikën shqiptare dhe sidomos mbi procesin e integrimit evropian.

Rama kërkoi nga Presidenti Kroat mbështetjen e plotë të vendit të tij, ndaj Shqipërisë drejt marrjes së statusit të vendit kandidat. Nga ana e tij, Presidenti Josipoviç e garantoi liderin e opozitës për mbështetjen e vazhdueshme që shteti kroat do të japë ndaj Shqipërisë, por në të njëjtën kohë theksoi nevojën për reforma të cilat garantojnë mirëfunksionimin e shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e institucioneve kushtetuese, reforma të cilat Presidenti Josipoviç i cilësoi si jetike për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gjatë ditës së dytë të vizitës në Zagreb, Rama u prit në një takim nga Kryeministri Kroat, ku biseda u përqendrua kryesisht në situatën politike rajonale, por edhe në politikat e reja për nxitjen e zhvillimit, punësimit dhe taksimit të ndershëm.

Rama e njohu Kryeministrin Milanoviç me programin e Partisë Socialiste për një Rilindje Shqiptare, ndërkohë që Kryeministri Kroat ofroi ndihmën dhe bashkëpunimin e tij për detajimin e programit qeverisës të opozitës shqiptare në fushat e turizmit, mbrojtjes së vijës bregdetare dhe zhvillimit portual e peshkimit.

Një tjetër temë e rëndësishme e takimit ishte edhe procesi integrues ku gjendet Shqipëria. Zoti Rama, pasi shpjegoi rëndësinë që ka për Shqipërinë marrja e statusit të vendit kandidat, i kërkoi Kryeministrit Kroat mbështetje për aspiratat evropiane të Shqipërisë. /Start/

                                                                                             2012-09-21 16:35
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›