E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Laç, premton se varfëria do të përgjysmohet

15/04/2009  Programi i PS-së

Kryetari i Partisë Socialiste ka zgjedhur qytetin e Laçit për të nisur turin për prezantimin e programit të ri qeverisës. Gjatë fjalës së tij në takimin e zhvilluar në këtë qytet, kreu socialist është fokusuar në një nga drejtimet e këtij programi, e konkretisht te politikat sociale. “Ajo që do të përbëjë shtyllën themelore të këtij programi, do të jetë zëvendësimi i ndihmës ekonomike si lëmoshë me ndihmën ekonomike si mundësi reale, si punësim dhe kontribut i drejtpërdrejtë në komunitet e në shoqëri”, - vuri në dukje Rama. Sipas tij, përmes këtij trajtimi do të bëhet dallimi mes politikës së re dhe asaj të ndjekur për 18 vite me radhë. Kreu socialist, duke i mëshuar me forcë një çështjeje të tillë, nënvizoi se “ajo që përbën dallimin thelbësor mes programit tonë dhe rrugës tonë të re, mënyrës se si është kuptuar dhe trajtuar varfëria gjatë këtyre 18 vjetve qëndron në faktin se ne nuk do t’i matim politikat sociale me rritjen e lëmoshës për të varfrit, siç bën qeveria e sotme në vijim të keqqeverisjes dhe keqtrajtimit të këtij problemi prej 18 vjetësh, por do t’i matim me numrin e familjeve që do të nxjerrim një herë e mirë nga varfëria”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›