E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet, Kushtetuesja rrëzon pretendimin e PD-së

15/04/2009  Gjykata Kushtetuese i përgjigjet maxhorancës për konfliktin e interesit

Shtyhet seanca e gjykimit, mbledhja e radhës do të zhvillohet më 7 maj

Gjykata Kushtetuese vendosi të shtyjë për më datën 7 maj hapjen e procesit gjyqësor për ligjin e lustracionit. Kërkesa u bë nga kryetarja e grupit parlamentar të PS-së Valentina Leskaj në emër të deputetëve të Partisë Socialiste, ankimues të këtij ligji, të cilët për arsye të ndryshme ndodheshin jashtë shtetit. “Gjykata Kushtetuese mendon se shkaqet e paraqitura nga kryetarja e grupit parlamentar të PS-së nuk janë tërësisht të bazuara juridikisht, por çmon të nevojshme, në interes të çështjes, që grupi i deputetëve që kanë bërë kërkesën në Gjykatë të dëgjohen në argumentet e tyre lidhur me këtë çështje. Në këtë mënyrë, Gjykata Kushtetuese vendosi të shtyjë shqyrtimin gjyqësor të çështjes”, - tha kryetari i Gjykatës Kushtetuese Vladimir Kristo. Gjithashtu ky institucion i dha përgjigje edhe shqetësimit të hershëm dhe të vazhdueshme të mazhorancës, të prezantuar në Kushtetuese nga përfaqësuesi i Kuvendit Lulzim Lelçaj, lidhur me pretendimin se anëtarët e saj kanë konflikt interesi me këtë ligj, ndaj për këtë arsye ata mund ta marrin në gjykim atë. “Kërkesa është e pabazuar për disa arsye. E para, kërkesa në thelbin e saj është abstrakte, nuk ka ndonjë referim konkret se cilët zyrtarë sipas subjektit të interesuar janë në konflikt interesi. Po sipas Kushtetutës, neni 131, Gjykata Kushtetuese është i vetmi organ në sistemin e organeve kushtetuese të Republikës së Shqipërisë që ka kompetencë të shqyrtojë papajtueshmërinë e një ligji me Kushtetutën. Asnjë organ tjetër nuk mund të zëvendësojë Gjykatën Kushtetuese në realizimin e kësaj detyre kushtetuese. Gjithashtu Gjykata Kushtetuese në shqyrtimin e një çështjeje i nënshtrohet vetëm Kushtetutës, pra atributeve që ka kjo kushtetutë dhe asnjë ligji tjetër. Të gjitha këto argumente bëjnë që të konsiderohet e pabazuar kërkesa e paraqitur nga përfaqësuesi i Kuvendit”, - i është përgjigjur Kushtetuesja përfaqësuesit të Kuvendit dhe të gjithë përfaqësuesve të mazhorancës qeverisëse. Ligji i lustracionit futi në konflikte për disa muaj jo vetëm partitë politike me njëra-tjetrën, por edhe institucionet më të rëndësishme në vend. Ai u hartua nga qeveria aktuale në përmbushje të premtimeve të saj për të hapur dosjet dhe zbardhur të kaluarën ish-komuniste. Por opozita e cilësoi atë si një ligj që jo vetëm shkelte të drejtat e njeriut dhe Kushtetutën e Shqipërisë, por edhe si një ligj që mbi të gjitha kishte në thelb hakmarrjet personale. Pro tyre u renditën edhe ndërkombëtarët, të cilët kërkuan maturi dhe rishikim të ligjit, si dhe nga shoqata e gjyqtarëve, prokurorëve dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, që janë palë në gjykimin e kësaj çështjeje pas animimit që i kanë bërë ligjit në fjalë. Aktualisht Gjykata Kushtetuese është në pritje të mendimit të Komisionit të Venecies, që do të japë gjykimin e saj mbi kushtetutshmërinë e kësaj çështjeje.

Deputetë me dosje?

Pavarësisht këmbënguljeve të politikës shqiptare për të pasur një parlament të ardhshëm sa më të “pastër”, këmbëngulje e cila i çoi edhe në miratimin e ligjit për lustracionin, kjo përpjekje rezulton të jetë e dështuar. Asnjërit prej kandidatëve të ardhshëm dhe më pas edhe përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë për katër vjetët e ardhshëm nuk do t’i hapen dosjet dhe publikohet biografia e tyre, pasi legjislacioni shqiptar nuk e ka ende një ligj që ta lejojë.

Kërkesa

Gjykata Kushtetuese, pasi çmoi se zbatimi i ligjit të lustracionit mund të sjellë pasoja në funksionimin normal të shtetit të së drejtës si dhe në cenimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit, vendosi të urdhërojë pezullimin e zbatimit të ligjit derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi. Gjithashtu në mbledhjen e gjyqtarëve u vendos që t’i kërkohet Komisionit të Venecies një opinion “Amicus curiae” për ligjin.

Ndërkombëtarët

Faktori ndërkombëtar, përfshi këtu Shtetet e Bashkuara, OSBE-në, BE-në dhe KE-në, kërkuan nga mazhoranca të rishohë qëndrimin ndaj ligjit të miratuar, pasi sipas tyre drafti nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare. Gjithashtu ndërkombëtarët sugjeruan marrjen e një vendimi nga Komisioni i Venecies. Në mënyrë të veçantë Këshilli i Evropës përshëndeti vendimin e Kushtetueses për pezullimin e zbatimit të ligjit të lustracionit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›