E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykatat administrative, opozita paraqet variantin e vet

15/04/2009  Komisioni i Ligjeve starton diskutimin e alternuar të dy projekteve

Komisioni i Ligjeve duket se është në rrugë të mbarë për të miratuar me konsensusin e të gjitha palëve projektligjin që ka hasur deri më sot shumë debate lidhur me organizimin e gjykatave administrative. Fillimisht nënkryetari i komisionit, deputeti i PS-së Fatmir Xhafa, paraqiti amendamentet e PS-së për këtë projekti dhe kërkoi reflektimin e ministrit të Drejtësisë për t’i marrë ato parasysh. “Konstatoj se në ligjin e abdejtuar të sjellë nga qeveria nuk janë marrë parasysh jo vetëm vërejtjet e PS-së, por edhe KLD-së. Ministria e Drejtësisë duhet ta shqyrtojë variantin e paraqitur nga ne, pasi në të kundërt konsensusi ynë do të jetë i vështirë”, - theksoi ai. Pas kësaj palët ranë dakord që të nisin diskutimin e alternuar mes dy projekteve të paraqitura: atij të Ministrisë së Drejtësisë dhe atij të deputetëve socialistë. Ndërsa tri nenet e para u miratuan sipas formulimeve të paraqitura nga PS-ja, komisioni u ndal në diskutimin e nenit që përcaktonte mënyrën e funksionimit të gjykatave administrative. “Për shkak të numrit të gjyqtarëve dhe administratës mbështetëse dhe infrastrukturës, është bërë përcaktimi që të ketë një gjykatë në Tiranë dhe seksione në rrethe. Nëse do të gjykojmë konfliktet për kompetencat territoriale, i takon të ndërhyjë edhe Gjykata e Apelit. Ndërsa seksionet e përjashtojnë këtë”, - mbrojti propozimin e tij ministri Alibeaj. Nga ana tjetër, socialisti Xhafa e kundërshtoi duke vlerësuar se organizimi i gjykatave me seksione e shpërndan përgjegjësinë, dëmton seriozisht realizimin e punës në gjykata, si dhe eviton përgjegjësinë dhe kontrollin ndaj gjyqtarëve. “Eksperienca me seksionet nuk ka rezultuar pozitive në realitetin shqiptar. Kjo përkeqëson edhe më tepër përvojën që keni sot, krijon një përvojë me një varësi të çuditshme, pra të seksioneve të rretheve në varësi të gjykatës së Tiranës”, - tha ai. Komisioni do të vijojë gjatë mbledhjes së sotme me diskutimin e neneve në vijim.

Avokati i Popullit

Kuvendi i Shqipërisë vlerëson pozitivisht punën njëvjeçare të Avokatit të Popullit. Përmes rezolutës së hartuar nga Komisioni parlamentar i Ligjeve, Kuvendi kërkon për vitin 2009 gjetjen e mundësve dhe të zgjedhjeve nga ana e institucionit të Avokatit të Popullit për sensibilizimin e opinionit publik lidhur me kompetencat kushtetuese dhe ligjore të tij. Po ashtu ligjvënësi kërkon denoncimin në vijimësi të shkeljeve të të drejtave të shtetasve nga administrata shtetërore, qendrore apo vendore dhe rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit të publikut për kërkimin e të drejtave të shkelura, apo të mohuara; përmbushjen me sukses të programit të inspektimit në komisariate policie, burgje, qendra paraburgimi, spitale, reparte ushtarake etj.; thellimin e bashkëpunimit me TVSH-në dhe televizionet e tjera për të mbajtur një komunikim të drejtpërdrejtë me shtetasit shqiptarë, si dhe ndjekjen e rekomandimeve të bëra nga ky institucion deri në realizimin e tyre.

Raporti njëvjeçar

Kuvendi shpërndan KSHC-në

Komisioni për Shërbimin Civil do të ketë edhe pak muaj jetë, pas rekomandimit që Komisioni i Ligjeve i ka bërë Kuvendit të Shqipërisë, pasi u njoh me veprimtarinë njëvjeçare të këtij institucioni. “Me krijimin e Gjykatës Administrative, e cila ka si objekt bazë të veprimtarisë së saj gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative, Komisioni i Shërbimit Civil të pushojë funksionimin e tij për shkak se objekti i veprimtarisë së tij tashmë përmbushet nga kjo gjykatë”, - ky është rekomandimi i ligjvënësit, pasi ka konstatuar se veprimtaria e KSHC-së ka mbetur vetëm në aspektin konstatues dhe nuk analizon problematikën dhe trajtimin e parimeve thelbësore mbi të cilat është ndërtuar ligji. Po ashtu ai nuk ka përmbushur kërkesat e lëna nga Kuvendi për rritjen e efektivitetit në punën për mbikëqyrjen e menaxhimit të shërbimit civil, për efiçencën e KSHC-së në trajtimin e ankesave. “KSHC-ja ka shfaqur mungesë të plotë autoriteti dhe nuk përbën asnjë lloj garancie për zbatimin e ligjit, ka shkelur ligjin në lidhje me mosrespektimin e afateve ligjore për regjistrimin dhe shqyrtimin e ankesave të bëra nga nëpunësit civilë, nuk është ndjekur në gjykatën e shkallës së parë ligjshmëria dhe bazueshmëria e vendimeve të KSHC-së gjatë procesit të ankimit në gjykatë, ndjekja e rekomandimeve dhe paralajmërimeve të dhëna nga KSHC-ja për institucionet e tjera nuk është realizuar dhe ushtrimi i kontrolleve për mbikëqyrjen e menaxhimit të shërbimit civil është bërë pjesërisht”, - thuhet në rezolutë. Për këtë qëllim për vitin 2009 Kuvendi kërkon përmirësimin e ndjeshëm të rolit të KSHC-së për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të shërbimit civil në nivel qendror dhe vendor, rritjen e efiçencës së punës së KSHC-së dhe çdo anëtari të tij etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›